E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët rrezikojnë të mos e shohin kombëtaren

Kur kanë ngelur më pak se njëzet ditë nga fillimi i edicionit të ri të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2008, Federata Shqiptare e Futbollit po mendon seriozisht për organizimin e tenderit për të drejtat televzive të ndeshjeve që do të luhen në Shqipëri. Institucioni që kontrollon futbollin në vendin tonë është duke punuar me procedurat e nevojshme që gjithshka të jetë gati përpara fillimit të edicionit. Ndeshja e parë zyrtare për kuqezinjtë do të zhvillohet më 2 shtator, kundër Bjellorusisë ndërsa më 6 shtator kombëtarja do të inagurojë tapetin e "Qemal Stafës" ndaj Rumanisë.E drejta televizive për takimet e përfaqësueses shqiptare gjithmonë ka qenë një "mollë" sherri për televizionet kryesore në vendin tonë, ku këto të fundit kanë pasë rezerva të shumta ndaj FSHF-së për mënyrën e organizimit të tenderave dhe të shpërndarjes së ndeshjeve. Duke qenë se Federata i siguron një pjesë të madhe të parave të saj pikërisht nga e drejta televizive, gjithmonë kjo e fundit është shoqëruar nga debate të shumta dhe shpeshherë nga shkelje të ligjit nga institucioni i futbollit. Sipas ligjeve në fuqi, gjithmonë e drejta e transmetimit të ndeshjeve në Shqipëri të kombëtares kuqezi i ka takuar Televizionit Publik Shqiptar duke qenë se kjo e fundit ka pasë shtrirje në të gjithë territorin e vendit dhe vazhdon ta ketë ende në krahasim me të gjitha televizionet e tjera. Këto vitet e fundit tradita ka ndryshuar, dhe me daljen në treg të platformave të ndryshme dixhitale, kanë qenë këto të fundit që kanë fituar të drejtat e transmetimit të ndeshjeve kundrejt shumave të mëdha që kanë shpenzuar për të fituar tenderat, gjë që i ka interesuar edhe Federatës pasi pjesa më e madhe e buxhetit të saj fitohet pikërisht nga këto të drejta televizive. Gjithashtu një fakt tjetër që i ka shtyrë drejtuesit e Federatës që t'ia heqin të drejtën TVSH-së është moskorrektesa e kësaj të fundit në shlyerjen e detyrime financiare, ku edhe sot ajo i ka një shumë të madhe borxh FSHF-së pikërisht nga këto të drejta. Për këtë problem flet vetë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Roland Mici duke u shprehur se ligji ja jep TVSH-së të drejtën e ndeshjeve në Shqipëri, por duke qenë se kjo e fundit i ka një shumë të madhe borxh këtij institucioni atëherë FSHF-ja është detyruar që ta shesë në televizione të ndryshme. "Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Shqipërisë, e drejta televizive për transmetimin e ndeshjeve të kombëtares kuqezi në vendin tonë i takon Televizionit Publik Shqiptar. Por duke qenë se kjo e fundit ende nuk ka shlyer disa detyrime financiare ndaj nesh atëherë ne jemi detyruar që ta shesim të drejtën televizive në stacione të tjera, sigurisht duke organizuar tendera. Ligji është për të gjithë dhe duhet që ta zbatojë në fillim TVSH-ja dhe më pas ne. Gjithashtu mund të them, se në rast të mosshlyerjes së borxhit nga ana e kësaj të fundit ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe do ta cojmë cështjen në gjykatë" deklaroi Sekretari Mici. Ndërkohë që ky i fundit u shpreh edhe për tenderin që do të organizohet për edicionin e ri të eliminatoreve të Kampionatit Europian. "Jemi duke punuar dhe them që do të organizojmë tenderin për të drejtat televizive të ndeshjeve që do të luhen në Shqipëri për eliminatoret që do të fillojnë në shtator. Nuk mund të përcaktoj një datë të saktë se kur do të organizohet ky tender por është e sigurtë që do të zhvillohet përpara fillimit të edicionit i cili starton më 2 shtator" përfundoi Sekretari i FSHF-së Mici. Ndërkohë që mësohet se ndeshja miqësore e 16 gushtit ndërmjet Shqipërisë dhe San Marinos nuk do të transmetohet nga asnjë televizion ose platformë dixhitale.
Besar Bozgo
(Sot)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›