E Diel, 1 Nëntor 2026

“ Durrës-Kukës” i merr buxhetit te rrugeve gjysmen e fondeve ne 2010-n



Ervin KOÇI

Rruga Durrës-Kukës- Morinë e cila duhet të përfundonte sipas premtimeve që këtë vit, do të vazhdojë ndërtimin edhe vitin që vjen, madje do të përlajë sërish më shumë se gjysmën e fondeve që janë programuar në projektbuxhetin e ri për investimet në rrugë. Shuma që mendohet të marrë sërish kjo vepër super e kushtueshme do të jetë mbi 20 miliardë lekë nga 40 miliardë që është i gjithë fondi i parashikuar për t’u investuar në sektorin rrugor. Lajmin e bëjnë të ditur për gazetën “Albania” burime nga Ministria e Financave sipas të cilëve, “edhe në vitin 2010 infrastruktura rrugore do të mbetet prioritet i investimeve të qeverisë ku parashikohen të investohen gati 40 miliardë lekë vetëm në akset nacionale nga 45 miliardë lekë që është fondi në total për të gjitha rrugët”. Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Financave, ndër objektivat për vitin 2010 janë ndërtimi dhe rehabilitimi i 156 km rrugë të rrjetit kombëtar me dy dhe katër korsi si: Kukës-Morinë, Bulqizë-Bllatë-Ura e Cerenecit, Leskovik-Tri Urat, Levan-Vlorë, Ura e Shkodrës-Fushë-Arrës, etj.. Në vitin që vjen gjithashtu parashikohen investime për sistemim, asfaltim dhe riveshje të rreth 217 km rrugë si: Dardhë-Ura e Drinit, Bajram Curri-Has, rruga e Voskopojës, Traget-Fierzë, Kuçovë-Belsh-Cërrik etj. Por Ministria e Financave përveç shumës së programuar në projektbuxhet për zërin “investime në infrastrukturën rrugore”, ka parashikuar që për të plotësuar mangësitë në këto investime të përdorë edhe fondin rezervë që shkon në rreth 50 milionë dollarë.

Fondi Rezervë

Ministria e Financave pasi ka udhëzuar pak kohë më parë bllokimin e investimeve pas datës 3 gusht, duke mos lejuar më prokurime publike, ka marrë edhe miratimin e qeverisë që të përdorë në çdo rast fondet rezervë. Nga ky vendim përfiton direkt Ministria e Punëve Publike të cilës i lind e drejta të përdorë nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave, rreth 50 milionë dollarë për rrugët. VKM-ja nuk jep asnjë detaj më shumë, duke krijuar paqartësi rreth qëllimit që kërkon të arrijë qeveria. Duke u mbështetur në ligjin "Për buxhetin e vitit 2009", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi dhe përdorimin nga fondi i kontigjencës, i miratuar në nëntor të vitit të kaluar, të 4.3 miliardë lekëve, për programin e rrugëve nacionale, të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Megjithatë, një tjetër arsye që lidhet me vendimin e prekjes së rezervës është mungesë e të ardhurave në buxhet. Kriza po tkurr të ardhurat nga doganat dhe tatimet. Me ligjin e buxhetit, qeveria ka të drejtë të prekë fondin për ruajtjen e deficitit buxhetor, në rastet e mungesës së të ardhurave të mjaftueshme. Rezerva e parashikuar për vitin 2009 është rreth 6 miliardë lekë.

Investimet e tjera

Projektbuxheti i vitit 2010 pritet të kalojë për shqyrtim në Kuvend brenda gjysmës së parë të muajit tetor. Burime zyrtare nga ministria e Financave thanë se, për të tretin vit radhazi, buxheti është pothuaj gati dhe pritet që të kalojë në Kuvend brenda gjysmës së parë të muajit tetor. Mësohet se buxheti i vitit 2010 do të ketë prioritet arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, si dhe investimet publike. Ministria e Financave pak kohë më parë ka nxjerrë një udhëzim, ku parashikon edhe penalitete financiare në rast se vonohet programi financiar nga institucionet buxhetore. Udhëzimi ka përcaktuar si afat të dorëzimit të kërkesave buxhetore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit fundin e muajit gusht. Totali i të ardhurave në vitin 2010 parashikohet të arrijë 368.309 milionë lekë, ndër të cilat të ardhura nga tatimet dhe doganat parashikohen të arrijnë 254.713 milionë lekë me një trend rritjeje vjetore në nivelin 12 për qind.

Shpenzimet

Në projektin paraprak të ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve në vitin që vjen parashikohet të arrijë 411.735 milionë lekë. Vitin që vjen parashikohet që borxhi publik të ulet nga 4.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që pritet në vitin 2009, në 3.5 për qind të PBB-së në vitin 2010 dhe deri në vitin 2012 të shkojë në nivelin 3 për qind të PBB-së. Ajo që është e veçantë në prioritet në këtë buxhet trevjeçar, pas infrastrukturës, është zhvendosja e ritmeve të rritjes në sektorë social, kryesisht arsim dhe shëndetësi, ndërsa si prioritet i katërt do të jetë bujqësia. Bujqësia gjatë këtyre tre viteve pritet të njohë dyfishim të buxhetit të saj dhe nëpërmjet fondeve të akorduara do të mbështeten fermerët me subvencione, zhvillimi i infrastrukturës së tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe njëkohësisht edhe vaditja.

Buxheti i 2010 më dorështrënguar se ai i këtij viti

Buxheti i shtetit i vitit 2010 planifikohet të jetë një buxhet dorështrënguar dhe në zëra të veçantë me më pak shpenzime se në vitin 2009. Kriza ekonomike por edhe tejkalimi i situatave elektorale kanë bërë që Ministria e Financave në parapërgatitjet e saj buxhetore të vendosë tavane për të gjithë institucionet buxhetore. Në udhëzimin e dalë nga dikasteri i financave sqarohet se kërkesat e dikastereve do të bëhen vetëm në bazë të tavaneve të caktuara dhe se zëra të tilla siç janë edhe investimet bazuar në realizimet buxhetore të këtij viti do të planifikohen me ulje. Megjithatë udhëzimi kërkon që në prioritetet qeveritare të mos planifikohen ulje të fondeve. Kështu sipas tavaneve të përcaktuar nga financat, Ministria e Transporteve do të vazhdojë të ketë shifrën më të lartë të investimeve. Nga më shumë se 45 miliard lekë që e ka totalin e buxhetit kjo ministri 40 miliardë do të jenë investime. E dyta në renditje për nga investimet do të jetë Ministria e Arsimit e cila planifikohet të marrë 10 miliard lekë për këtë qëllim, në një kohë që totalin e buxhetit e ka rreth 47 miliardë lekë. Mbrojtja ka renditjen e trete me 7.5 miliard lekë investime në një total buxhetor rreth 26 miliardë lekë. Shëndetësia në 2010 do të ketë një buxhet 28 miliardë lekë prej tyre 5 miliardë investime ndërsa bujqësia me buxhet 6.6 miliardë lekë planifikohet të investojë 3 miliardë lekë.

Rrugët që do të financohen nga buxheti i shtetit në vitin 2010

Akset kombëtare në ndërtim
1. Kukës-Morinë,
2. Bulqizë-Bllatë-Ura e Cerenecit,
3. Leskovik-Tri Urat,
4. Levan-Vlorë,
5. Ura e Shkodrës-Fushë-Arrës,
Në total 156 km rrugë me dy dhe katër korsi

Akset kombëtare për riparim
1. Dardhë-Ura e Drinit,
2. Bajram Curri-Has,
3. rruga e Voskopojës,
4. Traget-Fierzë,
5. Kuçovë-Belsh-Cërrik
Në total 217 km rrugë me dy korsi

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›