Tirana zyrtare refuzon hetimin për trafik organesh
Laureta Rryçi
Tirana zyrtare i ka komunikuar të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dik Marti se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Karla Del Pontes dhe autoriteteve të Beogradit rreth pretendimeve se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. “Të drejtën për të hetuar në territorin e Shqipërisë e ka vetëm Prokuroria shqiptare”, mësohet t’i ketë thënë Ministri i Drejtësisë Enekeljed Alibeaj, senatorit zviceran që kryeson grupin e hetimit në emër të Këshillit të Europës, në takimin e zhvilluar në Tiranë.
Deklaratat
“Unë refuzoj të besoj se këto janë të vërteta, por do të na pëlqente që kjo çështje të hetohej”, i ka thënë Marty, ministrit shqiptar të Drejtësisë. Por, përgjigjja e Alibejat ka qenë se “Unë refuzoj t’i përgjigjem letër porosisë së Ministrisë serbe të Drejtësisë, pasi pretendimet janë pa bazë dhe nuk ka prova mbi këto akuza”. Argumenti ka vijuar më tej kur Ministri ka shpjeguar se “Në asnjë rast shtetasit e huaj nuk kanë të drejtë të kryejnë veprime procedurale hetimore në territorin shqiptar. Hetimet mund të kryhen nga prokuroria shqiptare vetëm me kërkesë, letër porosi që vjen nga shtetet e huaja. Në këto raste prokuroria kryen të gjitha veprimet për zbardhjen e çështjes”.
Takimi i dytë
E njëjta bisede mësohet gjithashtu se është zhvilluar pak a shumë edhe me Ministrin e Brendshëm Bujar Nishani dhe me drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme. Qëndrimi zyrtar i institucioneve shqiptare rreth hetimit për akuzat e Karla del Pontes është ai i shprehur në një përgjigje që i është kthyer Prokurorisë serbe në tetor të vitit 2008. Kjo kërkesë është paraqitur në formën e një akti të quajtur "Letër porosi" ku autoritetet e Beogradit kërkonin vënien në dispozicion të provave dhe dokumenteve. “Por një kërkesë për ndihmë hetimi do të duhet të tregojë në mënyrë të qartë dhe të saktë se cilat janë aktet konkrete kriminale të kryera dhe veç këtyre cilat janë burimet e provave. Madje, vetë kërkesa e bërë nga Prokuroria serbe thotë: deri më tani nuk ka njohuri të sigurta mbi llojet dhe format e torturave”, ka deklaruar edhe publikisht dite me pare gjate një interviste për BBC, Ministri Alibeaj. Pra sipas tij, ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë e bazuar në asnjë lloj fakti të marrë në formë ligjore.
“Sipas rendit juridik serb ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë e cila nuk është gjë tjetër veçse pasojë e thënies në librin e zonjës Del Ponte. Sigurisht që serioziteti i një bashkëpunimi juridik midis institucioneve shtetërore apo ndërkombëtare kërkon seriozitet më të madh sa kaq, sepse një hetim nëse do të donim të ishte i suksesshëm edhe para gjykatave siç pretendon Prokuroria serbe, duhet që dhe procesi i hetimit të ishte po kaq serioz”, ka thënë Alibeaj.
Reagimi i zyrtarve të Kosovës: "Akuzat e Beogradit të pavërteta"
Ministrja kosovare e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi ka thënë se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës lidhur me pretendimet serbe për trafikim organesh të civilëve serbë nga kryengritësit shqiptarë gjatë luftës, ka prapavijë politike. Ministrja Kelmendi tha se hetimet e Tribunalit të Hagës kanë dëshmuar se akuzat e ngritura nga Beogradi janë të pavërteta. Në një intervistë për BBC-në, ajo përjashtoi mundësinë që pjesëtarët e ish UÇK-së të jenë marrë me trafikim organesh të serbëve. Reagimi i ministres së drejtësisë vjen në kohën kur i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty po viziton rajonin në kuadër të hetimeve për akuzat e ngritura nga Beogradi dhe të publikuara në librin e ish kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte. Ministrja Kelmendi tha se nisja e hetimeve nga Këshilli i Evropës për krime lufte në Kosovë përbën precedent në praktikat e kësaj organizate.
Del Ponte
Karla Del Ponte, duke cituar atë që vetë ajo e ka përshkruar në libër si një ‘raport të besueshëm të dëshmitarëve’, deklaron se guerilasit kosovarë kanë transportuar me qindra të burgosur serbë në veri të Shqipërisë. ”Ata u vranë dhe organet e tyre u morën”, - shkruan del Ponte në librin e saj ”Gjuetia”. Qeveria kosovare, e drejtuar nga Hashim Thaçi, i ka mohuar këto akuza duke i quajtur të pavërteta, ndërsa Rusia dhe Serbia kanë filluar hetimet për 'krimet e luftës'. Del Ponte, ambasadore e shtetit të Zvicrës, është urdhëruar nga qeveria e saj të heshtë tani që jehona e librit të saj ka shkaktuar reagime të fuqishme kontradiktore mes palëve. Por pretendimet e shkruara në libër të Del Pontes janë kundërshtuar dhe nga dëshmia e ish-kryeprokurorit shqiptar Theodhori Sollaku, i cili ka thënë se “një delegacion i kryesuar nga Del Ponte erdhi në vitin 2004 dhe kërkoi investigim mbi këtë çështje. Në bashkëpunim u kryen kërkimet dhe të dyja palët pranuan se nuk ekzistonte asnjë shenjë e vetme që mund të mbështeste këtë pretendim”. Ministria e Jashtme e Zvicrës i ndaloi ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, promovimin e një libri që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri përshkruan masakrat, që, sipas del Pontes, janë kryer nga ushtarët e UÇK-së, por Ministria e Jashtme e Zvicrës u shpreh kundër tij dhe kërkoi "kthimin e menjëhershëm" të Del Pontes në Argjentinë, ku ajo ushtron funksionin e ambasadores.
Takimet mes palës serbe dhe shqiptare
Në kulmin e polemikave mbi këtë çështje, në muajin prill, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka takuar prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili kishte mbërritur në Shqipëri së bashku me zëvendësprokurorin e zëdhënësin e tij. Interesimi i prokurorit serb lidhet me pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, e cila është deklaruar se ka pasur trafik organesh të qytetarëve serbë në një bazë në veri të Shqipërisë. Megjithatë, pretendimet e prokurorit serb nuk kanë shkuar më tej se ato të librit të Karla del Pontes, pasi përveç denoncimit që bëhet në librin e Del Pontes, Vukçeviç nuk ka sjellë asnjë provë apo indice me vete që do të mund të jepte ”shenja jete” për këtë dosje që deri tani ka bërë veç jehonë mediatike pasi gjurmët konkrete nuk gjenden askund. “Prokurorja e Përgjithshme bëri prezent gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005) që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”, - saktësonte lidhur me rezultatet e hetimit zyra e shtypit e prokurores së Përgjithshme Ina Rama.
7 Gusht 2009