Berisha: “Rama, tashmë vetëm një ish-kryetar i PS-së”
Kryeministri Sali Berisha e konsideron kryetarin e PS-së, Edi Rama, si ish-kryetar dhe se i ka mbaruar mandati për të udhëhequr socialistët që pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Edhe pse kryeministri theksoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të partisë më të madhe opozitare, ai ka komentuar edhe situatën në të cilën ndodhet tashmë Rama, kundërshtari i tij në zgjedhjet parlamentare të dy muajve më parë. Berisha, duke përshëndetur fitoren e PD-së në Ballagat të Lushnjës, tha se kjo shpreh qartë mashtrimet që sipas tij ish-kryetari i PS-së, Rama, ka bërë me elektoratin e tij. “Shprehem këtu për ish-kryetarin jo se atij i është ndërprerë mandati nga Statuti i tij, se çështjet e Statutit të partisë së tij nuk më interesojnë mua, por e vërteta është se me leksionin e madh që i dhanë shqiptarët më 28 qershor, ai mund të rrijë të shpifë, të trillojë, të mashtrojë, por çdo ditë numri i shqiptarëve që do t’i besojnë atij do të pakësohet, derisa ta lënë vetëm me shalsat e tij”, - tha Berisha.
7 Gusht 2009