E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidatja e PS-së, Spiropali, replika në distancë me zëdhënësen e PD-së, Mëhilli



Vijojnë replikat midis kandidates për deputete të Partisë Socialiste Elisa Spiropali dhe zëdhënëses së Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. Seriali i replikave midis tyre mori shkas nga publikimi i deklaratave të pasurisë, ku u shkëmbyen akuza respektive midis palëve në lidhje me deklaratat e pasurisë të kreut të PD-së dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Këto replika vijuan edhe gjatë ditës së djeshme. Fillimisht ka qenë përfaqësuesja socialiste Spiropali që ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të zbardhë burimet e pasurisë së fëmijëve të tij. Reagimet vulgare të pushtetit ndaj ngritjes së zërit tonë për pasurimin marramendës të familjes kryeministrore janë tregues i nivelit mizerabël ku ka rënë ky pushtet i korruptuar që po degjeneron gjithçka, deri edhe gjuhën e folur në publik. Akuzat vulgare nuk janë përgjigje. Sali Berisha duhet të përgjigjet si dhe pse ndodhi që fëmijët e tij u pasuruan falë pushtetit të tij dhe pse fëmijët e njerëzve pa pushtet nuk mund të kenë fatin e fëmijëve të tij. Sali Berisha duhet të përgjigjet, jo të abuzojë me një bashkëmoshataren time, që e nxjerr para publikut duke e detyruar të flasë me një shqipe rrugaçërore. Sali Berisha duhet të më tregojë mua dhe gjeneratës sime pse në Shqipërinë e sunduar prej tij duhet të pasurohen vetëm vajza e djali i tij, ndërsa të tjerët duhet të luftojnë jo për t’u bërë të pasur, por thjesht për të mbijetuar. Përgjigju, o sulltan komunist, që noton në këmbë dhe ecën mbi kurrizin e njerëzve!” - tha Spiropali.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, e cila tha se Edi Rama duhet të heqë dorë nga sulmet personale dhe familjare kundrejt kryeministrit. “Ai sot u shërbye nga një 99-she e keqpërdorur e Mjaft-it, e cila detyrohet të këndojë shpifjet dhe trillimet e kryetarit pa mandat të Partisë Socialiste për shkakun e vetëm se me 0,99-shin tjetër ka ndërtuar vilat duke vjedhur paratë e Mjaft-it. Është rasti t’i themi zotit Rama se sulmet e tua të ulëta ndaj kryeministrit dhe familjes së tij veçse e nderojnë dhe e lartësojnë atë gjithnjë e më shumë në sytë e shqiptarëve dhe nxjerrin në pah zvetënimin e vlerave të tua morale”, - tha Mëhilli.

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›