Apolonia e Fierit kerkon Ardian Cuculin

Kërcovë, - Ndonëse janë paralajmëruar mundësi të shumta për transferimin e futbollistit të Vëllazërimit Ardian Cuculi, akoma nuk dihet definitivisht emri i klubit të ri, ku ai do ta vazhdojë karrierën e tij sportive. Burime të Albania-sport.com bëjnë të ditur se përvec ekipeve që i kemi theksuar më parë, tani i interesuar për angazhimin e tij është edhe ekipi i Apollonisë nga Fieri i Shqipërisë, në klubin ku është i angazhuar edhe futbollisti ynë, Suat Zendeli. Të njëjtat burime njoftojnë se gjatë ditëve të kaluara, për të zhvilluar bisedime me Ardian Cuculin, në Kërcovë kanë qëndruar përfaqësues të klubit fierak nga Shqipëria, por epilogu i bisedimeve akoma nuk dihet. Apolonia ndodhet në pozicionin e fundit të tabelës së klasifikimit në ligën e parë të kampionatit shqiptar. Kjo është edhe një mundësi tjetër për transferimin e lojtarit të Vëllazërimit, Ardian Cuculi, sepse sic kemi informuar edhe më parë, të interesuar për angazhimin e tij në radhët e veta janë Shkëndija, Milano dhe Makedonija Gjorgje Petrov. Prandaj rreth kësaj cështjeje, gjithcka mbetet e hapur dhe janë të mundshme të gjitha opsionet për transferimin e tij. Përfundimisht brenda kësaj jave do të mësohet skuadra e re e Ardian Cuculit.
Shaban DALIPI