'> Liberalizimi i vizave për Kosovën
Komisionerja evropiane për çështjet e brendshme, Cecelia Mallmstrom, pas takimit me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka premtuar përkrahjen e plotë për synimet e Prishtinës zyrtare që të nisë procesi i liberalizimit të vizave. Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës në kryeqendrën evropiane kishte për qëllim insistimin e Prishtinës zyrtare që sa më parë të dorëzohet udhërrëfyesi me kushtet që duhen përmbushur në procesin e vizave në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë regjimin e lëvizjes së lirë në vendet e Evropës Perëndimore. Ministri Rexhepi ka dorëzuar edhe shënimet e përgatitura në lidhje me sfidat që priten në këtë proces. Zyrtarët e Komisionit Evropian nga ana tjetër insistojnë se Kosova duhet të miratojë dhe funksionalizojë ligjin për riatdhesim dhe të implementojë strategjinë e integrimit për të kthyerit para se të niset procesi i vizave. Ndërkohë, një grup ekspertësh nga kryeqendra evropiane pritet të vizitojnë Prishtinën së shpejti për të bërë vlerësimin e gjendjes, ndërsa ministri Rexhepi pret lëvizje konkrete në lidhje me vizat gjatë kësaj vere.