-Z.Berluskoni: "Gjatë takimit të sotëm, të gjithë vendet anëtare të NATO-s në Samit kanë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria" – Kryeministri Fatos Nano, i cili ndodhet prej
-Z.Berluskoni: "Gjatë takimit të sotëm, të gjithë vendet anëtare të NATO-s në Samit kanë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria" –
Kryeministri Fatos Nano, i cili ndodhet prej paradites së sotme në Stamboll në kuadrin e samitit të NATO-s, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme me homologë të tij në funksion të mbështetjes që Shqipëria pritet të marrë nga ky Samit.
Kryeministri Nano është takuar sot në mesditë me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me të cilin ka ndarë të njëjtin mendim se ky samit do të shënojë një element të rëndësishëm për të ardhmen e Aleancës Euroatlantike. Kryeministri Berluskoni ka theksuar se Shqipërisë do t'i jepet një mbështetje e fortë, ashtu sikundër edhe në kuadër të "Adriatik 3", mbështetje të cilën Shqipëria, sipas z.Berluskoni, e meriton me kontributin e saj jo vetëm në aleancat kundër terrorrizmit, por edhe me vullnetin e treguar për përmbushjen e reformave dhe si kontribuese e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajon. "Gjatë takimit të sotëm, të gjithë vendet anëtare të NATO-s në Samit kanë vlerësuar progresin e bërë nga Shqipëria", tha z.Berluskoni, duke shtuar se "Italia do të vazhdojë t'ju mbështesë në rrugën tuaj drejt integrimit".
Po ashtu, Kryeministri Nano është takuar me Kryeministrin e Rumanisë dhe atë të Bullgarisë, Adrian Nastase dhe Simeon Sakskoburggotski.
Në këto takime, autoritetet e larta kanë ndarë të njëjtin mendin se tashmë rajoni është më pranë integrimit në strukturat euroatlantike. Kryeministri Nano ka vlerësuar se pranimi i Rumanisë dhe Bullgarisë në Aleancë do të kontribuojë edhe në përafrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në këto struktura.
Nga ana e tij, Kryeministri Nastase ka vlerësuar hapat që Shqipëria ka ndërmarrë në procesin e realizimit të reformave të gjithanshme, hapjen e tregut, rolin e saj në rajon dhe nxitjes së inisiastivave rajonale, të cilat kontribuojnë në stabilitetin dhe progresin e tij. Ai ka siguruar për mbështetjen e vendit të tij, duke bashkëpunuar ngushtë me Shqipërinë jo vetëm në shkëmbimin e eksperiencave, por edhe nëpërmjet kontributit të drejtpërdrejtë për të mbështetur Shqipërinë në të ardhmen e sigurtë të saj në gjirin e familjes euroatlantike.
Në takimin me Kryeministrin bullgar, z. Sakskoburggotski ka shprehur vlerësimet e tij për progresin e arritur nga Shqipëria në rrugën e saj të reformave. "Më erdhi mirë që të gjithë autoritetet e larta të vendeve anëtare të NATO-s gjatë ditës së sotme në Samit mbështetën progresin që ka bërë Shqipëria, e cila është tashmë kandidate e sigurtë për në Aleancë", tha z. Sakskoburggotski. Të dy Kryeministrat kanë ndarë të njëjtin vlerësim se tashmë Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia janë vendet të cilat do t'i bashkohen në një të ardhme të shpejtë Europës, për shkak të ecurisë së tyre pozitive të reformave integruese, të cilat kanë çuar përpara të ardhmen europiane të tyre.
Kryeministri Nano ka diskutuar me homologët e tij edhe mbi zhvillimet rajonale. Ata kanë shprehur të njëjtin opinion se pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Serbisë, Boris Tadiç, rajoni do të ketë një atmosferë më pozitive. Në këto takime është diskutuar në mënyrë të veçantë për perspektivën e Kosovës dhe të ardhmen europiane të saj.
Kryeministri Fatos Nano gjatë pasdites do të ketë gjithashtu takime të tjera me homologë të tij, si Kryeministrin britanik Tony Blair dhe autoritete të tjera të larta.
Delegacioni shqiptar nesër do të marrë pjesë në sesionin plenar të Samitit.