E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 Maji, protestohet në Tiranë për rritjen e çmimeve



TIRANË- 1 Maji ngre në protestë Konfederatën e Sindikatave bashkë me të cilën janë bashkuar dhe shtresat në nevojë të shoqërisë. Pensionistë, të papunë, invalidë kanë zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Punës për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Nën moton “Punë, siguri, drejtësi” ata janë mbledhur dje në sheshin “Skënderbej” në një tubim paqësor ku kanë kërkuar kompensim për rritjen e vazhdueshme të çmimeve që ka mbërthyer tregun shqiptar. Tubimi ka vazhduar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të përfunduar më pas në sheshin “Nënë Tereza”. Protestuesit kanë vendosur dhe një afat për plotësimin e kërkesave të tyre, përndryshe ata kërcënojnë se do të marrin masa të tjera për të protestuar për çmimet e larta. “Deri në 10 Qershor qeveria të na ketë kompensuar rritjen e çmimeve, përndryshe do të hyjmë në greva urie dhe nuk do të dalim prej andej derisa të na plotësohen kushtet”, thanë përfaqësues të protestës. Invalidët përveç kërkesës për kompensim, kërkuan transport urban falas për kategorinë e tyre. “Nuk kërkojmë asgjë më shumë seç parashikon ligji për ne”, thanë ata gjatë protestës. ”1 Maji” shënohet si Dita Ndërkombëtare e Punës në kujtim të punëtorëve në Çikago të cilët para 132 vitesh, pikërisht më 1 maj 1886, kanë hyrë në grevë duke kërkuar kushte më të mira të punës. Kjo ditë festohet në gjithë botën me tubime në rrugë për të tërhequr vëmendjen e publikut mbi problemet e papunësisë. Në Shqipëri kjo ditë kalon çdo vit e qetë ku shqiptarët i gëzohen ditës së pushimit, ndërsa 18 vjet më parë në këtë ditë zhvilloheshin parada ushtarake në prani të liderëve të udhëheqjes komuniste.

INSTAT: “Papunësia, më e lartë se shifrat zyrtare”

Shqipëria konsiderohet një vend me nivel të lartë të papunësisë, dukuri që është shndërruar në burim varfërie për mijëra njerëz. Nga të dhënat e Institutit të Statistikave rezulton se 13.2 për qind e popullsisë sot nuk kanë një vend pune për të siguruar të ardhurat e përditshme. Kjo shifër përkthehet në më shumë se 142 mijë të papunë në të gjithë vendin. Por ky numër është shumë herë më i lartë po të mbahen parasysh dy faktorë: së pari jo të gjithë të papunët regjistrohen në zyrat e punësimit, dhe së dyti, në këtë numër nuk përfshihen të papunët në fshat, për të cilët nuk ka asnjë të dhënë. Edhe pse qeveria e ka shpallur luftën kundër papunësisë një prioritet për zhvillimin e ekonomisë, në këtë drejtim është bërë shumë pak. Gjatë vitit 2007, numri i të papunëve u ul vetëm 2 mijë veta, nivel pothuajse i pallogaritshëm krahasuar me atë armatë të papunësh që çdo ditë luftojnë për bukën e përditshme.

2 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›