Abuzimet, KLSH-ja propozon gjithsej 227 masa administrative
Kontrolli i Lartë i Shtetit u ka kërkuar institucioneve shtetërore ku janë evidentuar shkeljet dhe parregullsitë që të marrin masa disiplinore dhe administrative për 227 punonjës. Në raportin e KLSH-së për 3-mujorin e parë të vitit 2008 thuhet se për këtë periudhë janë bërë 4 kallëzime penale, ku dy raste i përkasin Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, një në Këshillin e Qarkut Korçë dhe një tjetër në degën e Doganës në Tiranë. Sipas KLSH-së, të 4 kallëzimet penale janë në proces hetimi. Në raportin e KLSH-së është propozuar që masa “vërejtje me shkrim”, të jepet për 84 punonjës, nga të cilat 9 janë zbatuar dhe 75 kanë mbetur pa përgjigje. Masa “vërejtje me paralajmërim” është kërkuar për 36 punonjës, ndërsa masa “pezullim për ngritje në detyrë” për 18 të tjerë. Gjithashtu, KLSH-ja ka kërkuar kalimin në një nivel më të ulët në detyrë për 18 punonjës, largim nga shërbimi civil për 24 persona, largim nga detyra për 9 punonjës dhe largim nga puna për 8 të tjerë. Dënimin me gjobë, KLSH-ja e ka kërkuar për 30 punonjës, ku janë zbatuar vetëm dy propozime, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur pa përgjigje. “Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhurat e Buxhetit të Shtetit dhe në shpenzimet, të pasqyruara në raportet e kontrollit të evaduar për 3-mujorin e parë të vitit 2008, në shumën e përgjithshme prej 1.11 miliardë lekësh. KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit në masën 100 për qind”, thuhet në raport. Për të metat dhe shkeljet e konstatuara, për çdo subjekt të kontrolluar, KLSH-ja ka lënë detyra për zbatim duke njoftuar edhe institucionet apo nomenklaturat përkatëse.
2 Maj 2008