PS-ja, kundër projektligjit të procedurave tatimore
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh kundërshtimin dhe papajtueshmërinë lidhur me deformimet e parimeve të ekonomisë së tregut dhe ngushtimin e hapësirave kushtetuese të lirisë ekonomike, që shkakton projektligji i procedurave tatimore.
Deputeti i PS-së, Shpëtim Idrizi, tha se ky projektligj i hartuar nga qeveria dëmton rëndë ekonominë e tregut në Shqipëri. “Ky është një projektligj sa regresiv, aq dhe kaotik, ku parimet bazë të fiskalitetit, si vetëvlerësimi dhe vetëdeklarimi, neutraliteti i administratave fiskale dhe barazia e pagimit të taksave, janë zëvendësuar me nenet e gjobave, hetimeve, sekuestrimeve, falimentimeve, metodave alternative e çmimeve referuese. Këtij shteti etatist, që u cakton bizneseve çdo gjë, xhiron, rentabilitetin, fitimin, çmimin e shitjes dhe blerjes, pagat minimale dhe maksimale, i ka mbetur vetëm një gjë: t’i marrë dhe vetë në administrim këto biznese, ose t’i shtetëzojë, duke nxjerrë nga “muzeu“ i komunizmit, Komisionin e Planit të Shtetit”, - deklaroi Idrizi.
2 Maj 2008