Qeveria unifikon automjetet e Policisë së Shtetit
Qytetarët tashmë do të jenë më të sigurt për të mos rënë pre e mashtrimeve nga personat që abuzojnë duke u prezantuar si punonjës të policisë. Ndërsa në Shqipëri janë shënuar dhjetëra raste ku persona me uniforma apo automjete policie kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm, tashmë një fenomen i tillë pritet të marrë fund. Kjo do të ndodhë falë projektligjit të Këshillit të Ministrave për “Përcaktimin e pajisjeve të veçanta, të ngjyrave dhe shenjave për mjetet e Policisë së Shtetit”. Ky projektvendim synon që të unifikojë automjetet e Policisë së Shtetit. Sipas nenit 2 të këtij projektvendimi, këto automjete do të jenë ngjyrë blu të errët. Ato do të jenë të pajisura me targën me fjalët “Policia” dhe numrin, në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Automjetet gjithashtu do të kenë logon e Policisë së Shtetit, të vendosur në çdo anë të dukshme të mjetit, numrin e telefonit, si dhe pajisjet sinjalizuese, ndriçuese e zanore (sirena). Në këtë projektvendim theksohet se ngjyra, targa dhe logoja në mjetet e uniformuara të Policisë së Shtetit janë të njëjta.
2 Maj 2008