E Shtunë, 31 Tetor 2026

1 korrik 2008


 
Komisioni për Edukimin  dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton projektligjin për një ndryshim në ligjin për Akademinë e Shkencave   Në mbledhjen e tij të datës 1 korrik 2008, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi projektligjin Për një ndryshim në ligjin nr. 9655, datë 11.12.2006 Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, propozim i Këshillit të Ministrave, në prani të këshilltarit të Kryeministrit, zotit Myqerem Tafaj.   Sipas propozuesve, ky projektligj u mundëson kandidimin për anëtarë të rregullt, apo të asociuar të Akademisë së Shkencave, personaliteteve të spikatura shkencore, që kanë patur shtetësi shqiptare dhe punojnë nëpër qendra kërkimore  shkencore të vendeve të tjera. Këta studiues nuk e kanë përfituar titullin profesor, ndonëse mund të kenë plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë të tillë, por në shtetet ku punojnë  ky titull është i lidhur me vendin e punës.   Komisioni, në mbarim të diskutimeve, doli me dy qendrime.   Përfaqësuesit e pozitës u shprehën pro kalimit të tij për miratim në seancë plenare.   Përfaqësuesit e opozitës kundështuan projektligjin me argumentimin, ndërmjet të tjerash, se ai sjell një frymë diskriminimi në disfavor të studiuesve shqiptarë, që punojnë  në institucionet shkencore vendase, me merita të njohura në zhvillimin e shkencës shqiptare. Sipas tyre, ai ka synime të qarta politike për tiu imponuar këtij institucioni elitar të jetës kërkimore shkencore.
     
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 96).

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›