24 qershor 2008
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton projektligjin Për pronësinë industriale Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 24 qershor 2008, vazhdoi shqyrtimin e projektligjit Për pronësinë industriale.
Ishte i pranishëm në mbledhje përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Arian Rukaj.
Në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin nen për nen të projektligjit.
Gjatë shqyrtimit nen për nen u bënë disa vërejtje dhe redaktime për nenet: 1, 2, 3, 5, 6, 10, 24, 29, 199 dhe 202, të cilat do të pasqyrohen në raportin e Komisionit për seancë plenare.
Në përfundim projektligji u miratua në tërësi me redaktimet e bëra nen për nen. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskuton kalendarin e punimeve Në mbledhjen e datës 24 qershor 2008, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi, fillimisht, kalendarin e punës, mbështetur në kalendarin e Kuvendit për periudhën 23 qershor 14 korrik 2008. Për projektligjin Për disa shtesa në ligjin nr. 8410, datë 30. 9. 1998 Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Komisioni pret mendimin e specializuar të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në lidhje me përputhshmërinë e tij me Kushtetutën dhe ligjet e pronësisë, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Në lidhje me projektligjet Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8503, datë 30.6.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, të paraqitur, përkatësisht, nga një grup deputetësh dhe nga deputetja Rajmonda Stefa, Komisioni pret mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, pas kërkesës me shkrim drejtuar kësaj të fundit. Projektligji Për një ndryshim në ligjin nr. 9655, datë 11.12. 2006 Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë u vendos të diskutohet në mbledhjen e datës 1 korrik 2008, në prani të përfaqësuesve të Qeverisë dhe të Akademisë së Shkencave. Më pas, Komisioni vazhdoi me njohjen e korrespondencës me letrat e Avokatit të Popullit drejtuar Komisionit, në formë rekomandimi, si nevoja për realizimin e iniciativës ligjvënëse për ndryshimin e ligjit nr. 9380, datë 28.4.2005 Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, si dhe një tjetër rekomandim për marrjen e masave për rregullimin e situatës së ish-punonjësve të Institutit të Fizikës Bërthamore. Në lidhje me kërkesën e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë për miratimin e ligjit për gjuhën shqipe standarde dha shpjegime këshilltari i Komisionit, duke bërë parashtrimin e historikut të diskutimeve për këtë projektligj në legjislaturën e kaluar të Kuvendit. (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 96).