E Shtunë, 31 Tetor 2026

8 korrik 2008


 
Komisioni i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik shqyrton projektligjin Për të drejtën e Informimit dhe dokumentet zyrtare   Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në disa mbledhje rradhazi mori në shqyrtim dhe diskutoi projektligjet Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare,  propozuar nga një grup deputetësh dhe Për disa shtesa në ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, paraqitur nga deputetja Rajmonda Stefa.   Gjatë shqyrtimit të dy projektligjeve, Komisioni u konsultua dhe me përfaqësues  të organizatave të shoqërisë civile, që veprojnë në fushën e së drejtës së informimit dhe me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë.   Projektligji Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, propozuar nga një grup deputetësh, synon realizimin e së drejtës së informimit të publikut, apo të individit për dokumentet zyrtare në një masë më të gjerë, efikase dhe të realizueshme. Ai pasuron mjetet dhe mënyrat për marrjen e këtij informacioni; përcakton afate procedurale, administrative dhe gjyqësore më të shpejta dhe efikase për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin, kufizon shpenzimet administrative, përcakton një rol më të spikatur të Avokatit të Popullit. Në përfundim, Komisioni u shpreh dakord me projektligjin në tërësi dhe nen për nen, dhe për kalimin e tij për miratim në seancë plenare.   Projektligji Për disa shtesa në ligjin nr.8503, datë 30.6.1999 Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, paraqitur nga deputetja Rajmonda Stefa,  synon disa shtesa në ligjin aktual, me qëllim futjen e detyrimeve specifike për të drejtën e informimit për dokumentet e përftuara gjatë proceseve gjyqësore. Komisioni u shpreh dakord në parim me projektligjin, por duke pasur parasysh që ndryshimet e propozuara në të kanë për objekt vetëm veprimtarinë e gjyqësorit, ai vendosi lënien në vlerësimin e Kuvendit të  shtesave që ai synon të realizojë në ligjin ekzistues.    (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 72 96). Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvillon takim me Ministrin, Ruli   Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 8 korrik 2008, zhvilloi një takim me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe  Energjetikës, Genc Ruli, për reformën  që po kryhet në kuadër të privatizimit të ARMO-s.
Fillimisht u dëgjuan shpjegimet e Ministrit dhe më tej, u  vijua me pyetjet e deputetëve. Ministri shpjegoi se puna në Armo  po vijon normalisht, pavarësisht procedurave të privatizimit. Sipas VKM-së nr. 261, datë 27.2.2008, duhet të largohen 606 punonjës për shkak të ristrukturimit. Janë ndjekur këto kritere për  seleksionimin e  punonjësve:
-Qendrimi ndaj punës.
- Niveli arsimor.
- Kriteret sociale.
Për secilin nga kriteret e mësipërm, është përdorur një sistem vlerësimi me pikë, me qëllim që të klasifikohen punonjësit që do të ishin pjesë e procesit të ristrukturimit.
Në sistemin e vlerësimit të paraqitur nga shoqëria, është përfshirë një kategori punonjësish që do të ndërpresin marrëdhëniet e punës të tillë si:
- Ata që shprehin dëshirën për të fituar asistencën;
- Ata që kanë të licensuar një pjesëtar të familjes në aktivitet privat;
- Punonjësit që duan edhe tre vite për të fituar pension pleqërie, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të VKM-së nr. 261, datë 27.02.2008;
- Njëri nga punonjësit, nëse në shoqëri janë të punësuar dy pjestarë të një familjeje;
Në sistemin e  vlerësimit nuk janë përfshirë:
- Punonjësit me arsim të lartë, në rastet kur arsimi përkon me vendet e punës në ARMO.
- Punonjësit e aksidentuar në punë;
- Punonjësit që kanë statusin e të persekutuarit politik;
- Punonjësit e punësuar si rezultat i vdekjes së pjesëtarit të familjes;
Në përfundim, Ministri  tha se ky proces po bëhet me një transparencë maksimale dhe se ai ishte i hapur ndaj  sugjerimeve  të Komisionit.   (Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e Komisionit në numrin: + 355 4 27 82 93).

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›