1 vit presidencë, partitë i bëjnë bilancin Topit
Forum/ Të djathtët e të majtët i bëjnë bilancin Presidentit pas një viti
Bamir Topi
Ka kaluar një vit. Bamir Topi është mësuar tashmë me shkallët e pakta që e çojnë në zyrën presidenciale. Ëndrra e realizuar në momentet e fundit, kur një krizë e mundshme parlamentare u kthye në favor të tij, tashmë është kthyer në një realitet të përditshëm. Ndryshe nga ç’pritej, ai pati marrëdhënie tepër të vështira në vitin e parë presidencial me mazhorancën që e votoi dhe së cilës i kishte shërbyer për shumë vite si deputet dhe në disa poste drejtuese. Ndërkohë, me opozitën nuk është se pati ndonjë konflikt, dhe si shpërblim nuk mori akuza dhe sulme politike. Një vit pas betimit në Presidencë, të djathtët mendojnë se ai është i paanshëm politikisht dhe kjo është gjë e mirë, por ndërkohë edhe i kërkojnë të mos jetë konfliktual, por të ruajë raportet me PD-në. Ndërsa të majtët akuzojnë mazhorancën si fajtore të problemeve me Presidentin dhe dalin në mbrojtje të tij, dhe pse nuk e votuan dhe e paragjykuan që në nisje pozicionimin e tij politik.
Preç Zogaj: E votuam që të ishte i paanshëm
Z. Zogaj, cili është mendimi juaj në lidhje me qëndrimin e Presidentit Topi një vit pasi është zgjedhur? A ka qëndruar ai mbi palët?
Ne e kemi votuar për të qenë i tillë dhe duam që të jetë i tillë. Nuk kemi pasur dyshime dhe as dëshirë që ai të jetë një President partiak. Me pak fjalë, ne vlerësojmë tërë komportimin ligjor dhe jopartiak të Presidentit Topi.
Ka qenë Presidenti i paanshëm gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i shtetit?
Ne dëshirojmë edhe paanësinë institucionale të Presidentit, por kjo paanësi nuk duhet të çojë në ndërprerjen e komunikimit të vazhdueshëm me PD-në dhe partitë e tjera politike në vend. Komunikimi nuk e cenon paanësinë, përkundrazi, e bën më efektive pavarësinë dhe paanësinë e Presidentit.
Fatos Hoxha: Të korrigjojë gabimet në vitin e dytë
Z. Hoxha, një vit në Presidencë, a qëndroi Bamir Topi mbi palët?
Si çdo detyrë e re, e panjohur më parë, do të kishte vështirësitë e veta. Kjo ngjan me Presidentin Bamir Topi, që jo në çdo rast u përshtat siç duhet me detyrën. Besoj që vitin e dytë të mandatit do të korrigjojë ndonjë nga mangësitë e mëparshme.
Cilat janë këto mangësi?
Presidenti aktual duhet të shkëputet nga “vendimet e lokaleve”, duke u përshtatur me institucionin që ai drejton. Duhet të tregojë respekt ndaj përfaqësuesve të popullit dhe do të ishte korrekte që t’i respektonte konform standardeve. Të largohet nga mentaliteti i krijimit të grupeve. Të heqë dorë nga “grupi i miqve të mi” dhe “grupi i kundërshtarëve të mi”. Në përzgjedhjen e përfaqësuesve të organeve kushtetuese të zbatojë standardet që aplikon çdo vend demokratik në botë dhe jo ai i shtetit të miqve. Të ketë kujdes në dekorimin e figurave dhe mos të përsërisë gabimet e paraardhësve të tij, duke dekoruar njerëz që do ishte mirë të ishin para drejtësisë.
Kastriot Islami: Presidenti i bllokuar dhe në goditjet politike të mazhorancës
Si e gjykoni punën e Bamir Topit në vitin e parë të Presidencës së tij?
Edhe me ish-nënkryetarin e saj, tanimë President, mazhoranca e drejtuar nga Berisha ndodhet në konflikt institucional. Në tri fushat kryesore, ku roli kushtetues i Presidentit është i rëndësishëm: në drejtësi, në diplomaci dhe ushtri, situata është e përkeqësuar dhe e bllokuar. Pas uzurpimit të postit të Presidentit, mazhoranxha e drejtuar nga Berisha kërkon të “rreshtojë” politikisht edhe këtë institucion. Kjo është një mangësi e madhe në drejtim të ndërtimit të shtetit ligjor e institucional nga ana e mazhorancës aktuale. Për të gjithë shqiptarët është shqetësues fakti që ish-opozita, e drejtuar nga Berisha, ishte në konflikt edhe me institucionin e Presidentit. Ajo përsëri e drejtuar nga Berisha vazhdoi të ishte në konflikt me këtë institucion edhe kur në këtë post u zgjodh një kandidat konsensual. Edhe aktualisht kur në këtë post u zgjodh ish-nënkryetari i saj, PD-ja e drejtuar nga Berisha mbetet në konflikt me këtë institucion. Përgjithësisht, mund të thuhet se në sytë e publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë institucioni i Presidentit është i bllokuar dhe nën goditjet politike të mazhorancës aktuale. Në këtë kontekst, nuk ka hapësirë për vlerësimin e punës së Bamir Topit, sepse institucioni që ai drejton është i bllokuar. Është e paimagjinueshme për një shtet demokratik që institucioni i parë i vendit është në konflikt me institucionin e dytë; nuk komunikojnë, kthehen pa asnjë arsye dekretet, nuk emërohen gjyqtarët e nivelit më të lartë, nuk emërohen ambasadorët, e kështu me radhë e me radhë.
Opozita nuk votoi për kandidaturën e tij, por sot pas një viti të performancës si President, mendoni se z. Topi është treguar i paanshëm?
Është e vërtetë që opozita e denoncoi uzurpimin politik të këtij institucioni. Përsëris se ky institucion është i bllokuar dhe nën goditjet politike të një grupimi të drejtuar nga Berisha brenda mazhorancës aktuale. Në rast se kjo situatë, pra rezistenca për t’iu nënshtruar plotësisht diktatit politik të grupimit të PD-së të drejtuar nga Berisha, do të përkufizohej si “pavarësi e performancë” atëherë përgjigja mund të ishte edhe pozitive. Kurse reagimi për të mos iu nënshtruar sulmit politik të grupimit të drejtuar nga Berisha, nuk mundet ende të përkufizohet si imparcialitet. Për këtë duhet akoma më shumë.
Krahasuar me presidentët e tjerë, ku qëndron ndryshimi i Presidentit Topi?
Edhe duke qenë i zgjedhur nga PD-ja, Presidenti, pavarësisht se ka mbiemrin Topi, është në konflikt me PD-në dhe më saktësisht, me Berishën e klanin e tij. Me PD-në në mazhorancë asgjë nuk ka ndryshuar për institucionin e Presidentit dhe prandaj nuk mund të flitet për emrin konkret dhe ndryshim me të tjerët. Ky fakt evidenton invariancën e konfliktit nga tipi, prejardhja apo emri i Presidentit dhe për rrjedhojë vërteton karakterin absolut konfliktual të mazhorancës së drejtuar nga Berisha. Duke qenë i bllokuar si institucion, është e vështirë të matet edhe performanca, edhe imparcialiteti, edhe ndryshimi nga të tjerët i Presidentit aktual. Nuk ka rezolucion të mjaftueshëm për të analizuar një pamje kaq të errët e të turbullt.
Pëllumb Xhufi: Nuk e votuam, por e mbështesim
Si e shikoni punën 1-vjeçare të Presidentit Bamir Topi?
Nuk gjykoj se ky përvjetor i parë i Presidentit Topi është tregues i performancës së tij. Ne e dinim se ambientimi dhe afirmimi në detyrën e re do t’i merrte zotit Topi energji, që për dikë mund të konsiderohen të paparashikuara. Them të paparashikuara, pasi Presidentit të Republikës do t’i duhej koha e mundi i duhur për t’u ndarë nga reflekset e zv.kryetarit të PD-së e të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së. Por s’është kjo më kryesorja. Z. Topi u ndodh që në fillim nën sulmet e egra të z. Berisha e të znj. Topalli, të cilët në çdo rast donin t’i kujtonin atij se ishte në atë rol me vullnet të tyre dhe se, për rrjedhojë, duhet të bënte ç’i thoshin ata. Kundrejt këtij sulmi brutal e provincial, z. Topi deri tani ka treguar integritetin e qytetarinë e tij, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve. Gjithsesi, konflikti me Kryeministrin dhe zonjën ambicioze të Parlamentit do të jetë edhe në të ardhmen një pjesë e paparashikuar (dhe e panevojshme) e axhendës së Presidentit dhe unë dua të besoj se ai do të dijë të mbrojë dinjitetin e zyrës së tij supreme; në fund të fundit beteja me Kryeministrin e kryeparlamentaren nuk është një betejë personale e tij, por është një betejë në mbrojtje të institucioneve e të demokracisë nga prirjet autoritariste e fashistoide të mëshiruara në dyshen e sipërpërmendur.
LSI-ja nuk ka votuar për zgjedhjen e Bamir Topit si President të Republikës. Sipas jush, a ka qenë i paanshëm në punën e tij?
Votimi ynë ishte para së gjithash politik. Ne gjykonim që në kushtet kur në pushtet kishte ardhur Berisha, ishte tamam momenti i përshtatshëm që President i Republikës të bëhej një kandidat i minorancës, sigurisht i pranueshëm edhe për mazhorancën. Në fund të fundit, vetë Berisha kishte bërë një premtim të tillë menjëherë pas fitores së dyshimtë në zgjedhjet e super-Dushkut 2005, premtim që sigurisht nuk e mbajti, si shumë e shumë premtime të tjera. Nga ana tjetër, ne nuk mund të ishim indiferent që z. Topi ishte atë kohë zv.kryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar të partisë së tij. Dhe ky fakt donte të thoshte shumë në kuptim të zaptimit të institucioneve, kur mendon se kryetari i PD-së dhe nënkryetari tjetër i PD-së, përkatësisht z. Berisha e znj. Topalli, ishin tashmë në rolin e Kryeministrit e të Kryetarit të Parlamentit. Në këtë kuptim, qëndrimi ynë ishte politikisht i motivuar dhe i përligjur. Por, nga momenti që ai u zgjodh President i vendit, LSI-ja respektoi rolin e tij institucional, si përfaqësues më i lartë i shtetit, si kryekomandant i Forcave të Armatosura, si garant i Kushtetutës e kreu i gjyqësorit, si shprehje e unitetit të popullit. Në këtë kuptim, ne i kemi dhënë mbështetjen tonë sa herë që Presidenti Topi ka qenë në rolin e tij, në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve dhe institucioneve.
Bamir Topi është Presidenti i katërt i pluralizmit. Çfarë ndryshimi ka sjellë ai në Presidencë, krahasuar me paraardhësit e tij?
Është shpejt të thuhet. Siç thashë, ky vit i parë i ka ngrënë pjesën kryesore të kohës për të ndërtuar profilin e Presidentit, si një institucion mbi palët, si dhe për të mbrojtur Kushtetutën e institucionet nga sulmet autoritariste të Kryeministrit e Kryetares së Parlamentit. Si me thënë, këtë vit presidenca ka qenë “në mbrojtje”.
Arian Madhi: Kontribut në përmirësimin e ligjeve
Z. Madhi, si e shihni ju punën e z. Topi në punën e tij njëvjeçare si Presidenti i Republikës?
Përgjigjen do e veçoja me dy aspekte të rëndësishme. Së pari, me procesin e konsolidimit të Presidencës dhe së dyti, me ushtrimin e kompetencave individuale që ai ushtron si kryetar shteti. Lidhur me të parën, dua të them se ka një rrugë të gjatë dhe të vazhdueshme për procesin e konsolidimit të Presidencës. Unë nuk mendoj se ka ende standarde të arrira, por e them me siguri se ka një shmangie nga ndikimet dhe përqasjet drejt dialogut. Unë dua të them se përpjekje ka, por këto nuk janë ende maksimale. Ka vështirësi që janë shquar në vazhdimësi. Problem është komunikimi me institucionet. Presidentët paraardhës kanë pasur një shkëputje në komunikimin me institucionet, por që të themi të vërtetën, kjo është një veçori që i karakterizon kryesisht të gjitha institucionet. Në lidhje me aspektin e dytë, dua të nënvizoj se Presidenti Topi ka qenë gjatë kësaj periudhe korrekt me Kushtetutën e ligjin themeltar. Në ushtrimin e kompetencave të tij individuale ai ka qenë mjaft korrekt, e kam fjalën këtu për dekretet e ligjeve për të cilat ai ka dhënë maksimumin. Madje, unë mendoj se ai ka kontribuar në përmirësim e disa ligjeve.
A është treguar i paanshëm Presidenti Topi?
Kjo është çështje individualiteti. Unë nuk besoj se ka qenë i anshëm, madje në shumë raste ai ka marrë vlerësime nga opozita. Vlerësoj punën e tij, sepse në shumë raste, si dekretimi i ligjeve, ka arritur të sjellë kontributin e tij për përmirësimin e tyre, dhe këtu bëhet fjalë për ligje që kanë ndikim të madh social.
Çfarë ndryshimi ka sjellë z, Topi si President në krahasim me paraardhësit e tij?
Presidenti Bamir Topi mbi të gjitha është Presidenti ynë. I pari që zgjodhën erdhi në Presidencë pa përkatësi partiake, edhe pse herë pas here gjatë punës së tij rrëshqiti. E rëndësishme është që institucioni i Presidencës të mos tregojë varësi politike dhe kjo duhet të bëhet traditë, çka Topi ia ka arritur ta bëjë duke e konsideruar si traditë të shkëlqyer.
Durim Lamaj: Vota ime, e drejtë
Një prej deputetëve socialistë që një vit më parë shkundi selinë rozë kur votoi Presidentin Bamir Topi sepse i besoi atij, Durim Lamaj, u shpreh dje për “standard” se vazhdon të besojë te Topi, ashtu si një vit më parë. Sipas Lamajt, presidenti që ai votoi, nuk është ende në performancën e duhur. Sërish i vjen mirë për të dhe punën që ka bërë. Megjithatë, me një fjalë ai ironizon opozitën që një vit më parë nuk pranoi të votonte për të. Ai i kujton Partisë Socialiste se Topi është sjellë korrekt me ta, çka sipas Lamajt, Topi është Presidenti që socialistët duan. “Unë, si përkrahës i Bamir Topit, më vjen mirë për të edhe pse do thosha se nuk është ende në performancën më të mirë, por të paktën është Presidenti që socialistët duan”, - tha Lamaj.