E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi ashpërson gjuhën me Ramën

Kryesocialdemokrati ashpërson gjuhën me Partinë Socialiste. Skënder Gjinushi nuk ia fal dot aleatit të tij më të ngushtë, Edi Rama, që nuk bojkotoi seancën e dy ditëve më parë pas incidentit midis Kryeministrit dhe deputetit socialist, Taulant Balla. “Të shkosh në atë sallë Kuvendi, në ato kushte, me atë drejtuese është si të frekuentosh motelet e dyshimta, pastaj të ankohesh për përdhunim. Bojkoti ynë dje ishte për të shprehur mospajtimin tonë për degradimin e Kuvendit dhe të demokracisë në nivelet e fjalorit të rrugëve dhe të moteleve më të përfolura”, - tha Gjinushi, i cili i kërkon Ramës që të bëjë opozitë dhe të mos qëndrojë i tërhequr. Sipas tij, për PSD-në roli i opozitës është të mbrojë institucionet; të mbrojë respektimin e ligjit dhe Kushtetutës në emër të qytetarit dhe jo të ulë kurrizin, as të shkelë mbi të drejtat e saj, e as të mbajë shënim shkeljet e turpet e radhës. “Të tolerosh këtë qeveri, të tolerosh këtë qeverisje, do të thotë të tolerosh krimin shtetëror të Gërdecit; do të thotë të tolerosh vjedhjet e korrupsionin masiv; do të thotë të tolerosh varfërimin e shqiptarëve; do të thotë të tolerosh arrogancën ndaj biznesit e shantazhin ndaj medias”, - tha ai. Edhe më parë Gjinushi e ka kritikuar Ramën, duke pranuar se zërat kundër në parti vijnë pikërisht se PS-ja po bën opozitë të dobët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›