Topalli-Fini ,Italia do të ratifikojë e para Protokollin e NATO-s
E ndodhur në një vizitë dyditore në Romë, me ftesë të homologut Fini, Kryetarja Topalli referoi dje në mesditë në tryezën e rrumbullakët me temë "Parlamentet në procesin e asociim-stabilizimit dhe integrimit evropian dhe mesdhetar". Para disa vitesh një mur u rrëzua në Evropë. Të mos ngremë mure të tjera kundër vendeve të cilat aspirojnë perspektivën evropiane”, - tha ajo
“Italia do të ratifikojë së shpejti Protokollin e Anëtarësimit në NATO, sepse Shqipëria në vitet e fundit ka bërë hapa të mëdhenj përpara”. Ky është mesazhi që ka marrë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli nga Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, Fini është shprehur se “nevojitet që Komuniteti Ndërkombëtar t’i njohë këta hapa duke iu përgjigjur kështu meritës që ajo ka. Italia ka një traditë të hershme në raportet e afrisë dhe miqësisë me Shqipërinë, kështu që sigurisht ratifikimin do ta kryejmë me bindje dhe jo thjesht si një kërkesë”. Ishte një kërkesë e Kryetares Jozefina Topalli, e cila i kërkoi homologut të saj italian përshpejtim të ratifikimit të Protokollit të NATO-s për anëtarësimin e Shqipërisë. Gjatë takimit që ata patën dje në “Pallatin Monteçitorio”, parlamenti italian, Fini iu përgjigj pozitivisht kësaj kërkese. E ndodhur në një vizitë dyditore në Romë, me ftesë të homologut Fini, Kryetarja Topalli referoi dje në mesditë në tryezën e rrumbullakët me temë "Parlamentet në procesin e asociim-stabilizimit dhe integrimit evropian dhe mesdhetar", me pjesëmarrjen e kryetarëve të parlamenteve dhe përfaqësues të legjislativit nga Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit është përqendruar në reformat e guximshme që qeveria dhe Parlamenti shqiptar kanë ndërmarrë me shumë sukses, kjo falë një lidershipi të fortë me vetëvendosje dhe përkushtim të fuqishëm. “Sot, si rezultat i reformës fiskale, Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në kontinent, ku nga 23 taksa kombëtare, aktualisht janë reduktuar në vetëm 6. Është një vend gjithmonë e më tërheqës ndaj investimeve dhe turizmit, një vend ku po zbatohet taksa e sheshtë prej 10% dhe çdo biznes regjistrohet brenda një dite përmes procedurës “One stop shop” dhe gjithë procedurat tatimore janë transparente dhe mund të kryhen në rrugë elektronike. Rezultati i këtyre reformave identifikohet me rritjen prej 70% të investimeve të huaja direkte”, - tha zonja Topalli.
Më tej, Kryetarja Topalli është përqendruar në fjalën e saj në rëndësinë që ka njohja e shtetit të ri të Kosovës, si dhe në domosdoshmërinë e anëtarësimit të saj në organizmat evropiane dhe ndërkombëtare. Duke vlerësuar iniciativën e zotit Fini për organizimin e kësaj tryeze të rëndësishme me vendet e Ballkanit Perëndimor, Kryetarja e Kuvendit u ndal edhe në sfidat që do të përballojë Bashkimi Evropian me zgjerimin e ardhshëm me këto vende, duke shtuar argumentin se pa zgjerim të mëtejshëm do të rrezikohej stabiliteti në kontinent, pasi zgjerimi është mjeti më i mirë për të përhapur vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja. Sipas saj “pa zgjerimin, Evropa nuk do të ishte kjo që është sot. Pa zgjerim të mëtejshëm do të rrezikohej stabiliteti në kontinent, pasi zgjerimi është mjeti më i mirë për të përhapur vlerat mbi të cilat është themeluar dhe mbështetet bashkëpunimi evropian”. “Para disa vitesh një mur u rrëzua në Evropë. Të mos ngremë mure të tjera kundër vendeve të cilat aspirojnë perspektivën evropiane”, - mbylli fjalën e saj në këtë konferencë Kryetarja Topalli.