E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacin: Bllokimi politik nuk është mesazhi më i mirë

26/03/2010 Eurodeputeti slloven, Jelko Kacin, mendon se mungesa e opozitës në jetën parlamentare nuk ndihmon Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave. Duke folur në një intervistë për BBC-në, Kacin, i cili ishte pjesë e delegacionit të PE-së që vizitoi vendin pak ditë me parë, thotë se situata aktuale politike në Shqipëri padyshim është e ndërlikuar. “Problemi që mbetet për shkak të bllokadës së Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, është gjithsesi një sfidë, e cila thjesht nuk mund të gjejë një epilog të vet racional. Fjala është për një qasje joracionale, fjala është për emocione të mëdha dhe padyshim se kjo jep një pasqyrë për Tiranën ku institucioni kryesor, organi ligjvënës, nuk punon, nuk vepron në përbërje të plotë që, kuptohet, nuk është mesazhi i vërtetë që ne do të dëshironim ta shohim”, ka thënë ai. Duke vlerësuar se nuk ka më probleme teknike në përmbushjen e kritereve, kur është fjala për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit dhe kontrollin e kufijve, eurodeputeti slloven thekson se ngërçi politik nuk është mesazhi i vërtetë që do të ndihmonte Shqipërinë në procesin e heqjes së vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›