E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekstet mund të shkaktojnë shkarje drejt homoseksualitetit

26/03/2010 ZMK dorëzon kërkesën për seancë dëgjimore

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka dorëzuar dje një kërkesë për një seancë dëgjimore në komisionin e Çështjeve Sociale, Edukimit dhe Librave, në lidhje me tekstet e hartuara nga fondacioni “SOROS”. Kërkesa është dorëzuar nga kreu i kësaj zyre, avokat Altin Goxhaj, deputeteve Lajla Pernaska, Mesila Doda dhe Arensa Trashani.

Në kërkesë thuhet se “sipas të dhënave që ne kemi mbledhur, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, spinoff i ‘SOROS’-it, njohur dikur me emrin Qendra e Gruas, ka zhvilluar një program për të ndërhyrë në mënyrën se si bëhet mësim për nxënësit e filloreve dhe për këtë qëllim ka publikuar 10 libra dhe ka zhvilluar një program trajnimi për të gjithë mësuesit e Shqipërisë, duke kërkuar që mësuesit shqiptarë të edukojnë fëmijët nëpërmjet manualeve që kjo OJF, e krijuar nga ‘Soros’, ka përgatitur me mbështetjen e ambasadës suedeze”. Sipas asaj çka shkruhet në kërkesë, ZMK-ja ka vënë re se në to jepen modele të çuditshme edukimi dhe influencimi, duke iu referuar një “ideologjizimi gjinor” postmodern. “Promovohet një identitet gjinor androgjen (edhe mashkull, edhe femër), i cili siç dihet përbën një shkak të mundshëm për një influencim në krizën e identitetit seksual në adoleshencën e parë të meshkujve 10-14 vjeç, çka mund të sjellë edhe shkarje drejt homoseksualitetit”, thuhet në kërkesën drejtuar komisionit.

ZMK-ja shprehet se ky lloj modeli edukimi duhet që përpara se të aprovohet nga Ministria e Arsimit, t’i ofrohet publikut të gjerë për diskutim, dhe më pas të aprovohet. “Pretendimet e deritanishme mediatike në media të aktivistëve të të drejtave të homoseksualëve se ky program synon të ulë shkallën e agresivitetit të meshkujve shqiptarë që fëmijë të vegjël, sipas nesh është absurd dhe nënkupton pretendime për modifikimin e karakterit njerëzor, pretendime të njohura vetëm nga sistemet totalitare komuniste apo fashiste që kërkonin të ndërtonin njeriun e ri apo krijimin e modeleve njerëzore në përshtatje me ideologji të caktuara”, shprehet ZMK-ja në kërkesën e saj. Nga ana e saj, kjo zyrë kërkon që të dijë se kush ia jep të drejtën një OJF-je, siç është fondacioni “SOROS” të ndërhyjë në formimin e karakterit të fëmijëve të këtij vendi. “Ndaj dhe ne, në emër të ZMK-së, të nderuara zonja, Ju kërkojmë Juve në cilësinë e deputeteve të Parlamentit shqiptar që të organizoni një seancë dëgjimore në Parlamentin shqiptar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MASH-it dhe të çdo pale tjetër të interesuar mbi programet e trajnimeve dhe publikimeve”, thuhet në kërkesë.

Vëzhgimi

Djemtë 6 vjeç luajnë me barbi!

“Siç do të shikoni edhe vetë, në këta libra ka ndërhyrje dhe influencime të tilla absurde tek edukimi i fëmijëve 6 apo 7 vjeç, ku djemve të vegjël u kërkohet të përgatisin ese, ku ata të shprehen se si do të ndiheshin po të ishin femra, çfarë elementi femëror identifikojnë te vetja, të mos kenë paragjykime dhe të luajnë me kukullën barbi, të luajnë si femrat me litarë, dhe vazhdimisht e vazhdimisht në të gjithë librat, djemtë e vegjël nxiten me çdo kusht që ata të pyesin veten se çfarë elementi femëror kanë te vetja. Një nga detyrat më absurde që kemi konstatuar te këta libra është detyra e shtëpisë që kanë djemtë e vegjël që të kontrollojnë dhe studiojnë me vëmendje çantën e mamasë apo raftin e objekteve kozmetike, ku natyrisht përfshihet edhe buzëkuqi, makeup, etj. si këto, çka do të thotë në këndvështrimin e psikologjisë infantile edhe nxitje të kuriozitetit për t’i përdorur. Pikturat shoqëruese të fëmijëve androgjenikë që luajnë me barbin, apo modele të letrave që djemtë u dërgojnë shokëve të tyre.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›