E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 12 vjet pas vrasjes së fëmijës 9-vjeçar

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 14-03-2011 12:38

DURRËS- Nebi Ajazi, autor i vrasjes së një fëmije 12 vjet më parë në Dibër, është vënë në pranga ditën e djeshme, në zonën e Plazhit, në Durrës, vend në të cilin fshihej prej vitesh. Burime të Policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se 72-vjeçari Nebi Ajazi, banor i fshatit Vlashaj në komunën e Lurës, është autor i vrasjes së fëmijës Fatjon Buçi, 9 vjeç, ngjarje e cila ka ndodhur në vitin 1999. Sipas të njëjtave burime, 72-vjeçari ishte larguar menjëherë pas vrasjes, duke arritur që të fshihet për një periudhë të gjatë kohore. Ngjarja që ka pasur për protagonistë persona nga i njëjti fshat, ka nisur pas një konflikti për motive banale. Sipas burimeve policore, Nebi Ajazi pretendonte se fqinji i tij, fëmija 9-vjeçar, i kishte thyer xhamat e autoveturës së tij. Për këtë arsye ka nisur sherri midis familjeve, i cili fillimisht është shuar, pas ndërhyrjeve që janë bërë nga të afërm të të dy palëve. Nuk ka kaluar shumë kohë dhe konflikti është rindezur, por këtë radhë ai ka përfunduar me pasoja tragjike. Nebi Ajazi, në atë kohë 59 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të familjes Buçi, duke vrarë fëmijën 9-vjeçar Fatjon Buçi, si dhe duke plagosur të ëmën e tij, Donika Buçi. Menjëherë pas ngjarjes, ai është arratisur dhe ka mundur të fshihet për një kohë të gjatë. Gjithsesi, për ngjarjen e rëndë policia dhe prokuroria e Dibrës kanë kryer procedurat sipas ligjeve në fuqi, ndërsa Gjykata e shkallës së parë në Dibër e ka dënuar Nebi Ajazin me 18 vjet heqje lirie në mungesë, me vendim të datës 2.6.2004. Të njëjtin vendim ka lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit në Tiranë, pasi disa muajsh. Policia e Dibrës ka zhvilluar kërkime të shumta gjatë këtyre viteve, por personi i shpallur në kërkim, prej 12 vitesh kishte mundur shumë mirë që të fshihte gjurmët në Durrës. Policia e qytetit bregdetar ka bërë të ditur se mendohet që Nebi Ajazi të ketë kaluar shumicën e viteve të fundit në zonën e Plazhit në Durrës. Edhe gjatë arrestimit të tij ditën e djeshme, ai ka qenë i pashqetësuar në lëvizje në këtë zonë, derisa agjentët e policisë kriminale kanë mundur të identifikojnë se bëhej fjalë për shtetasin e shpallur në kërkim nga drejtoria e policisë së qarkut Dibër që në vitin 1999. Pas arrestimit të tij, ditën e djeshme në Durrës, 72-vjeçari është dorëzuar pranë efektivave të Policisë në Dibër, ku edhe tashmë do të zbatohet vendimi për vuajtjen e dënimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›