E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet Prokuroria, lirohet taksisti i akuzuar për Trashanin

SHKRUAN: Habjon Hasani 14-03-2011 12:37

Tiranë- Prokuroria e Tiranës “korrigjon” veten, duke lënë të lirë taksistin Abedin Mulaj, si të paimplikuar në vrasjen e juristes Aurora Trashani. Vetëm pak orë pas lënies në fuqi të arrestit nga Gjykata e Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vlerësoi kërkesën e revokuar të masës së sigurisë, të bërë nga organi i akuzës, duke miratuar lirimin e taksistit dhe duke vendosur si masë shtrënguese për të, detyrimin e paraqitjes. Që prej ditës së shtunë, Abedin Mulaj është njeri i lirë, ndërsa vrasja e juristes së Autoritetit të Konkurrencës nuk ka asnjë person në pranga. Taksisti Abedin Mulaj u arrestua një muaj më parë, nën akuzën e vrasjes në bashkëpunim të juristes Aurora Trashani, ndërsa fillimisht, prokuroria kërkoi burg pa afat për të, edhe pse s’i provë paraqiti vetëm komunikimet telefonike të Mulajt me klientin e tij, të akuzuarin për krimin. Pas kësaj kërkese të parë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës, si dhe ajo e Apelit, lanë në burg pa afat taksistin, ndërsa në media familjarët e taksistit denoncuan publikisht qëndrimin e prokurorisë, e cila nuk kishte asnjë provë shkencore, që të vërtetonte implikimin e Mulajt në ndonjë mënyrë apo rrethanë, në vrasjen e juristes. Duket se një javë më vonë, Prokuroria shqiptare ka rishikuar masën e sigurisë për taksistin, duke ndryshuar madje dhe statusin e tij, nga person i akuzuar, si bashkëpunëtor në vrasje, në person që mund të ketë dijeni mbi çështjen që po hetohet. Në dy seancat e para të masës së sigurisë, pretendimet e avokatit mbrojtës, se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me vrasjen, nuk janë marrë parasysh nga gjykata. Mbrojtësi ka argumentuar se Abedin Mulaj, me profesion taksist, ka transportuar nga aeroporti i Rinasit drejt Tiranës, Romeo Viden, me të cilin kishte njohje prej rreth 5 vjetësh, pas telefonatës së ardhur prej tij. Po ashtu, avokati mbrojtës ka pranuar faktin se klienti i tij ka marrë me taksi Viden, pranë Zogut të Zi, më 1 shkurt, ditën e vrasjes së juristes së Autoritetit të Konkurrencës, Aurora Trashani. Përveç transportit me taksi dhe 2-3 telefonatave, nuk ka asnjë provë tjetër që mund të lidhë taksistin Abedin Mulaj, me të dyshuarin për vrasjen e 32-vjeçares. Pas arrestimit, Mulajt iu sekuestrua dhe automjeti dhe ekspertimi nuk nxori asnjë element që mund ta komprometonte, për më tepër që, ndryshe nga sa u bë e ditur nga hetuesit në fillim, Mulaj ishte paraqitur dy herë në polici para se të arrestohej dhe të qëndronte 1 muaj në burg. Pavarësisht këtij fakti, arrestimi i Mulajt fillimisht u paraqit nga organet shtetërore, si një arrestim i kryer nga një aksion i posaçëm policor. Me lirimin e Abedin Mulajt, vrasja e Aurora Trashanit mbeti pa asnjë të dyshuar në qeli, ndërkohë që urdhër-arresti për të akuzuarin si ekzekutor të saj, rezidenti në Gjermani, Romeo Vide, ende nuk është ekzekutuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›