10 Personalitetet e Vitit të Tiranës
Eksperienca e vitit të kaluar të Bashkisë së Tiranës do të vijojë edhe këtë vit, me organizimin e konkursit të hapur “10 Personalitetet e Vitit”. Një vit më parë, personat që fituan këtë titull u përzgjodhën direkt nga qytetarët e Tiranës, me anë të postës së thjeshtëdhe asaj elektronike. Kështu, emra të njohur nga fusha të ndryshme u nderuan nga Bashkia e Tiranës dhe qytetarët e saj, në një mbrëmje gala, të organizuar enkas për këtë ngjarje.
Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, Familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko kanë qenë titullarët e “10 Personalitetet e Vitit” për vitin 2007.
Duke filluar nga data 10 dhjetor,pa kritere të ngurta, por me arsyetim të thjeshtë dhe njerëzor, secili ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës me veprën e tyre modeste.
Njerëzit që do të propozohen, pavarësisht nga profesioni, gjinia apo pozicioni i tyre shoqëror, duhet të jenë shembull frymëzimi për të tjerët. Ata duhet të jenë mbi të gjitha qytetarë të mirë; duhet të jenë ata që i japin diçka më shumë komunitetit.
Ky votim do të qëndrojë i hapur deri më datë 24 dhjetor. Më pas, të dhënat e mbledhura do t’i dorëzohennjë jurie prestigjoze, të përbërë nga emra të njohur në fushën e artit, letrave, sportit, biznesit, sociale etj, që do të vlerësojë propozimet dhe votimet e qytetarëve, të ardhura në ditët pararendëse.
Më 26 dhjetor, në një mbrëmje feste, të hapur për publikun dhe mediat, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, së bashku me të ftuar të tjerë, do të nderojnë fituesit e edicionit të dytë “10 Personalitetet e Vitit” për vitin 2008.
Janë vetë qytetarët, ata që propozojnë dhe votojnë “heronjtë” e përditshëm, ata që jetojnë vetëm një derë larg nesh. Për të propozuar dhe votuar njëkohësisht, të gjithë qytetarët mund të përdorin disa mënyra, sipas preferencës dhe lehtësive.
Postë e thjeshtë në adresën: Kabineti i Kryetarit, Bashkia e Tiranës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit
Postë elektronike (e-mail): 10@tirana.gov.al
Dorazi: Pranë Zyrës së Informimit Qytetar
Pranë emrit të propozuar, duhet vendosur arsyeja për të cilën është përzgjedhur dhe mund të propozohen vetëm 10 apo më pak emra.