Një George Sand kalkografe
Në motorin elektronik universal të kërkimit, ndryshe Google, nuk gjen asnjë informacion për Donatella Aurora Serritella-n. Artistja italiane hapi dje të parën ekspozitë në Shqipëri. Kjo mungesë të dhënash nuk është një rastësi. Teknologjia e fundit nuk është shumë tërheqëse për gruan, vëmendja e të cilës është përqendruar diku tjetër, në thellësinë e shekujve. Në galerinë e Akademisë së Arteve në Tiranë ajo ekspozon punë të realizuara në një teknikë e dalë jashtë mode. Artistët e asaj kohe nuk dihet si e quanin këtë teknikë, ndërsa të sotmit e quajnë inçizim. Një realizim në miniaturë brendia e të cilit mbruhet nga imagjinata.
Përmasat e “tablove” të saj janë të vogla, gati duken si vizatime naive fëmijësh. Por çdo njëra prej punëve ka një histori të sajën dhe një proçes të ndërlikuar që një fëmijë kurrsesi nuk mund ta realizojë dot.
Punët që artistja ka sjellë në Tiranë janë krijimet më përfaqësuese të vitit të fundit. Tema që përshkon gjithë ekspozitën “Sogni costrutivi”, për të është e veçantë sepse tregon një ecje të brendshme në thellësitë e shpirtit njerëzor. “Këtë shëtitje kam dashur të realizojë nëpërmjet krijimeve që kam sjellë këtu” thotë Serritella.
Inçizimet paraqesin figura dhe trajta që vetëm në një botë imagjinare mund të ekzistojnë. Fytyra dhe pamje që i hasim në jetën e përditshme Donatella i ka paraqitur në forma të ndryshme dhe gati të çuditshme.
Teknika që ajo përdor është një lloj kalkografie. Artistja shpjegon se i përket periudhës së parahistorisë. Për disa shekuj kjo teknikë u zhduk për t’u rishfaqur më pas gjatë periudhës klasike greke. Dhe vetëm pas Luftës së Dytë Botërorë u bë pjesë e kurrikulave të akademive evropiane. Klasikë të njohur si Diego Romancenia, Goya e deri te artistë më modernë si Marc Chagall e Gotuso janë konsoliduar me këtë teknikë të veçantë.
Donatella apo siç e ka pagëzuar veten në art George Sand nuk realizon vetëm inçizime por merret edhe me pikturë. Këto nuk janë vetëm dy profile të ndryshme por kanë edhe mënyra të ndryshme për tu shprehur. Ndërsa inçizimi është për të një lloj aventure sepse e lejon të eksperimentojë me çdo gjë, nuk mund të sillet njëlloj edhe pikturën ajo ndjek të tjera skema. Sipas George Sandit italiane, inçizimi është i rëndësishëm sepse është diçka që merr pjesë në formimin e artistit sepse kombinon dhe lidh atë që quhet faza krijuese-artistike me fazën praktike.
Gjatë qëndrimit të saj një javor në Shqipëri ajo tregon se ka vizituar edhe Muzeun Historik Gjergj Kastrioti në Krujë. Nuk e fsheh habinë që ka provuar kur ka gjetur aty vepra të realizuara në këtë teknikë gjë që do të thotë se në Shqipëri inçizimi nuk është një teknikë e panjohur. “Për momentin thjesht e ka zënë gjumi por besoj se ja vlen të zgjohet”, shprehet ajo.
I vetmi informacion që jep për veten është se ka përfunduar Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, për pikturë. Në fillimet e saj ka eksperimentuar me inçizimin dhe skulpturën. I ka braktisur për t’iu dedikuar pikturës por edhe këtë e la për arsye personale. Tani i është rikthyer me diçkatë veçantë. Në vendin e saj ka arritur të realizojë rreth 30 ekspozita personale ndërsa kjo në Shqipëri është e para që realizon jashtë kufijve.
Identifikimi me Aurora Dupin, homazh për shkrimtaren
“Gjatë studimeve që kam kryer mbi jetën dhe veprimtarinë e poetit francez Charles Baudelaire kam zbuluar që anatagonista e tij, Georg Sand në të vërtetë nuk ishte antagonistja e tij. Nevoja për të krijuar këtë konflikt mes këtyre dy figurave të rëndësishme të asaj kohe me siguri që i detyrohej mundësive të pakat që kishin për të realizuar një takim të drejtpërdrejtë. Për mua ishte një surprizë zbulimi i faktit që Sand dhe Baudelaire ishin shumë të afërt si nga pikëpamja intelektuale ashtu edhe nga përgatitja. Në të vërtetë mendoj se ata duheshin shumë. Ky fakt më bëri shumë përshtypje dhe vendosa të përdor emrin e saj. Ngacmues ka qenë edhe fakti se në një distancë kohore kaq të madhe këto dy personazhe në një farë mënyre të mund të takoheshin sërish. Unë e adhuroj Charles Baudelaire dhe veprën e tij “Lulet e së keqes” e mbaj gjithmonë me vete.” Ky është shpjegimi që Donatella Aurora Serritella dha kur u pyet përse përdor si emër arti George Sand. Bëhet fjalë për Amandine Aurore Lucile Dupin (1804-1876). Me pseudonimin George Sand ajo njihet më së shumti në botën e letrave si shkrimtare dhe feministe.