E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja, 10 objektet që kërkojnë mbrojtje në Antigone

Gjirokastër- Komuna Antigone në rrethin e Gjirokastrës kërkon mbrojtje për disa objekte të rralla të zonës. Kërkesa për një status të veçantë për to është bërë nga kryetari Ylli Muho. Nga 12 objekte të veçanta, vetëm dy mbajnë statusin “Monument kulture”, Parku Arkeologjik Kombëtar i Antigonesë dhe porta e Vaso Netit në fshatin Saraqinishtë. 10 të tjerat, pavarësisht vlerave të veçanta, natyrore, historike e arkitektonike nuk gëzojnë asnjë status. Nisur nga ky fakt dhe për të krijuar një “mburojë” kundër degradimit të tyre, këshilli i komunës së shpejti do t’i shpallë objekte “të mbrojtura”, ndërsa kryekomunari Muho kërkon në këtë aspekt edhe ndihmën e shtetit e veçanërisht të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. “Është e domosdoshme marrja e masave të menjëhershme për t’u dhënë këtyre objekteve një status. Kemi përzgjedhur në këtë listë ato që ne i kemi cilësuar si vlerat më të rralla të komunës, pasi në zonën tonë ka edhe shumë të tjera.” Kështu, në listë janë përfshirë manastiri 700-vjeçar i Spilesë, në të cilin ndodhet kisha e Shën Kollit (1680); kisha e Shën Delliut (1740) dhe Shën Gjergjit (1880) në fshatin Saraqinishtë; burimi ujor i Lepushetit, burimi ujor i Tranoshishtës; kroi 200-vjeçar po në Saraqinishtë; rrapi shekullor në Tranoshishtë, Gjinofshati ku në vitet 1430 numëroheshin rreth 130 shtëpi, ndërsa sot është totalisht i braktisur; pylli i Manastirit, Artizanet e Antigonesë (kompleks artizanal), si dhe i vetmi kostum origjinal i gruas lunxhiote.

Sikurse e gjithë Lugina e Drinos, edhe kjo komunë është mjaft e pasur në monumente, por më i rëndësishmi është qyteti antik, i themeluar nga Pirroja i Epirit, dhuratë për gruan e tij Antigona, e që prej vitit 2005 është Park Arkeologjik Kombëtar.

e. bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›