E Diel, 1 Nëntor 2026

10 Tetor

Musa Ulqini 

Më 1 tetor kryetari i Partisë Socialiste në një konferencë shtypi bëri me dije vendimin e tij për organizimin në datën 10 tetor të protestës së parë kundër vjedhjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Në 10 tetor Edi Rama mund të grumbullojë në Tiranë disa mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Është e mundur të arrihet kjo, sepse dhjetë ditë janë të mjaftueshme për një forcë politike si Partia Socialiste e mirorganizuar në të gjithë territorin e vendit dhe me mbi 80 mijë anëtarë, të organizojë një protestë të tillë. Ky organizim lehtësohet edhe nga fakti që 1/3 e deputetëve të zgjedhur për shkak të fuqisë së tyre ekonomike mund të kontribuojnë jo pak në transportin e protestuesve drejt Tiranës. Veç kësaj nuk duhet harruar që dhe në bashkitë më të mëdha të vendit në pushtet janë socialistët. Ndërkohë, opozita e sotme është mjaft komode në organizimin e tubimeve të tilla, krahasuar me opozitën e parë, së cilës për pesë vjet rresht iu mohua e drejta për të protestuar në qendër të Tiranës. Kjo protestë nuk do të lërë gjurmë në historinë e PS-së nëse ajo nuk shoqërohet nga protesta të tjera të përditshme në Tiranë dhe në rrethe. Por protestat e vazhdueshme kërkojnë motivimin dhe ndërgjegjësimin e mijëra qytetarëve, larg çdo dileme dhe pikëpyetje, të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pranishme në diskutimet e tyre për 28 qershorin. Hekuri rrihet sa është i nxehtë - thotë populli. Si është e mundur që protesta e parë e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit organizohet 103 ditë pas përfundimit të tyre? Është rasti të kujtoj se protesta e famshme e Partisë Socialiste për dhunimin e zgjedhjeve të 26 majit 1996, u bë vetëm dy ditë pas zgjedhjeve dhe pamjet filmike nga sheshi “Skënderbej” bënë xhiron e botës, duke sensibilizuar institucionet kryesore të vendeve demokratike për atë çfarë po ndodhte në Shqipëri. Kudo ku zgjedhjet dhunohen, protestat e qytetarëve dhe të opozitës fillojnë ditën që ato dhunohen dhe jo katër muaj më pas. Protesta që mbështet bojkotin e Kuvendit zhvillohet ndërkohë që institucionet kryesore ndërkombëtare janë shprehur kundër bojkotit të parlamentit nga deputetët socialistë. Mbrojtësit më të flaktë të hapjes së kutive të votimit janë pikërisht ata aleatë të Partisë Socialiste, që për ditë të tëra pas 28 qershorit akuzuan Edi Ramën se ai kishte urdhëruar komisionerët e tij që votat e tyre t’i numëronin në favor të PS. Kjo kërkesë e tyre sot më shumë ngjan me një alibi për të shmangur përgjegjësitë që ata kanë për votat e pakta që grumbulluan në 28 qershor se sa me një kauzë! “Në kutitë e votimit fshihet e vërteta e 28 qershorit” - këmbëngul Edi Rama. Si është e mundur që edhe sot e kësaj dite PS nuk ka mundur t’i ofrojë publikut asnjë fakt, të dhënë, dëshmi, provë apo indicie tjetër për vjedhjen e votës, qoftë edhe në një kuti të vetme votimi? Edhe një parti e vogël si PDK ka arritur që me grupin e saj të ekspertëve të faktojë vjedhjen që ishte bërë asaj në disa qendra votimi në Shkodër, përmes analizës së pamjeve filmike të procesit të numërimit të votave. Ndërkohë, theksoj që edhe PS i disponon kasetat e filmuara të numërimit të votave në të gjithë zonat zgjedhore. Në datën 7 shtator Edi Rama bëri publike kushtet e PS për t’i dhënë fund bojkotit të Kuvendit. Veç hapjes së kutive të votimit ai listoi edhe shtatë kushte të tjera, një nga të cilët ishte edhe ai i “ ...evidentimit dhe rikthimit në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna apo transferuar gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kanë marrë pjesë si përfaqësues të opozitës në komisione zgjedhore, apo nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj”. Ky kusht dhe kushtet e tjera tashmë nuk përmenden fare. Përfaqësuesit e PS të pushuar nga puna për shkak se u angazhuan në infrastrukturën zgjedhore si komisionerë, numërues apo vëzhgues në 4700 qendra votimi dhe 66 qendra të administrimit zgjedhor pyesin: përse Rama nuk këmbëngul më për kthimin e tyre në punë? PS në infrastrukturën zgjedhore kishte angazhuar më shumë se 17 mijë përfaqësues të saj. Ndërkohë që këtë pyetje e bëjnë edhe të gjithë ata që janë cenuar në karrierën e tyre profesionale ose u është hequr buka e gojës vetëm për shkak se nuk iu bindën urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të PD dhe qeverisë së saj gjatë fushatës zgjedhore të 28 qershorit. 
Në raportin e publikuar nga PS (29 gusht 2009) për shkeljet e evidentuara gjatë gjithë procesit zgjedhor theksohet: “Mbi 250 mijë zgjedhës mbetën pa një dokument të ligjshëm për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Ky numër zgjedhësish mbetet përcaktues për rezultatet e votimit”. Si është e mundur që as në këtë raport dhe në asnjë rast tjetër Edi Rama dhe zëdhënësit e tij nuk kanë publikuar as një emër të një zgjedhësi të vetëm, i cili nuk mundi të votonte më 28 qershor, sepse nuk ishte i pajisur me dokumentin e ligjshëm të votimit? Ndërkohë kujtoj që rreth 60 mijë vetë (anëtarë ose jo të PS) ishin angazhuar nga PS në të gjithë territorin e vendit që të nxisnin mbështetësit e saj të pajiseshin me kartë identiteti dhe të evidentonin emrat e qytetarëve që iu mohua e drejta e votës për shkak se qeveria nuk i pajisi me dokumentin përkatës. A do të ndikojnë dilemat e mësipërme në vazhdimin e protestave të PS? Të organizosh një protestë është e mundur për një forcë politike si PS. T’i vazhdosh protestat nuk mjafton vetëm fuqia organizative. Duhet shumë më tepër se kaq. Duhet një kauzë. Mbetet të shihet pas 10 tetorit se sa Edi Rama ka mundur që pretendimin e tij për vjedhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit ta kthejë në një kauzë lirie e demokracie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›