E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federatë apo Fede(ram)ë?

Martin Leka 

Ditën simbol të konferencës së Pezës, të parit forum të mbledhur pa dallim feje, krahine apo ideje, kryetari i PS-së gjeti po për simbolikë rastin të rilançonte idenë e një bashkimi, një federate të së majtës. Jo rastësisht, kryetari i PS ishte kujdesur të na jepte si imazh pamjet e aleatëve të tij - herë permanentë e herë mobilë - Gjinushi i PSD-së, Milo i PDS-së, Veliaj (të cilin akoma nuk e kam kuptuar pse dhe kujt i është bashkuar kaq fort)?! Po në mënyrë kaq të kujdesshme, (të paktën këtë përshtypje mediatike la pjesëmarrja e tyre), kryetari i PS-së ishte kujdesur të provokonte LSI-në, përmes pjesëmarrjes së disa figurave të vetëlarguara nga kjo parti pas koalicionit të kësaj të fundit me PD-në (thonë se janë arsye personale)…
* * *
Që e majta është në krizë, kjo tashmë dihet. Nuk është vetëm humbja e zgjedhjeve të 28 Qershorit që e evidenton këtë krizë. Humbja e zgjedhjeve vetëm sa e thelloi atë. Me ardhjen e Ramës në krye të PS, u evidentua ajo që njihet si “simptomë’ në partitë politike: humbja e ekuilibrit për shkak të ngarkesës që sjell ndryshimi i lidershipit. Por në rastin e PS, nuk kishte thjeshtë humbje ekuilibri, por “shkarje”, traumë, e cila pandryshueshmërisht do të sillte këtë gjendje në të cilën ndodhet PS-ja e Ramës. Në një retrospektivë të shkurtër, arsyet pse ky ekuilibër nuk u arrit ishin disa, por meqë po merremi me “federatën” apo tezën e bashkimit të së majtës, po përmendim ato që kanë lidhje me solidaritetin dhe mundësitë e pashfrytëzuara të kryetarit të PS-së kryesisht, por edhe të lidershipit në përgjithësi. Gjëja e parë që bëri gabim, sipas meje, kryetari i PS-së, ishte anashkalimi, injorimi dhe më pas lufta ndaj liderit historik F. Nano. Pavarësisht të metave e gabimeve që mund të ketë lideri i një partie, të paktën për dy arsye, F. Nano nuk duhej të lihej jashtë vëmendjes së lidershipit të partisë:
E para lidhet me vetë historinë e gjatë në drejtimin e PS-së që në themelim, burgosjen e tij si akt që lidhet me qenien e tij në krye të opozitës së atëhershme si dhe për reputacionin e tij në radhët e anëtarëve të PS-së dhe të të majtëve në përgjithësi. E dyta, lidhet me aktin e kryer pas humbjes së pushtetit para katër viteve, dorëheqjen e tij të parevokueshme nga kreu i PS-së si shkak i humbjes. Gjëja e dytë që bëri gabim kryetari i PS-së, Rama, ishte anashkalimi, mëria e më pas lufta e hapur ndaj ish-aleatit të tij, Ilir Meta. I njohur për influencën e tij në të majtën, Ilir Meta duhej të mbahej me çdo kusht në aleancën e Ramës. Në rastin e prishjes së një marrëveshjeje, e cila lidhet me ndryshimet kushtetuese dhe që sot më shumë se kurrë, pasojat po i vuan vetë Rama e partia që drejton, Meta, në ndryshim nga çfarë u vijua në qëndrimin e PS-së, duhej të ishte target i gjetjes së rrugëve maksimale për ta patur një partner dhe aleat, përkundër asaj që ndodhi dhe që në fakt rezultoi fatale për vetë PS-në. Përmendëm vetëm këto dy raste, por ka dhe të tjera, ndonëse me më pak kosto elektorale. Zgjedhjet e fundit janë argumenti më i mirë për këto që thamë më sipër si gabime të rënda të lidershipit të PS-së. Por le të vijmë sërish tek Federata e majtë apo bashkimi i së majtës, predikim që vijon me një këmbëngulje dhe pasion jashtë realitetit nga kryetari i PS-së dhe të rinj e të vjetër mbështetës të tij në lidershipin e partisë. A mundet që të jetë efektiv dhe real një bashkim i tillë, i cili anashkalon Metën e majtë dhe mijëra mbështetësit e tij? A mundet të jetë efektiv një bashkim i të majtës duke përbaltur liderin historik, i cili në çdo rast, ka mbështetësit e tij të konsiderueshëm?
Po fundja, a mund të ketë një bashkim apo federatë reale, kur përfaqësuesit e grupimeve të cilat duhet të përbëjnë targetin e një federate janë kaq të mospërputhshëm në ide e veprime? Rasti i fundit i mosmarrëveshjes dhe i ideve të kundërta lidhur me bojkotin, të Ramës e  mbështetësve të tij dhe Blushit, Malajt, Harasanit, Islamit e mbështetësve të tyre, tregon se në fund të fundit, në këto kushte, federate është jo vetëm një utopi, por edhe një përpjekje e kotë. Në fund të fundit, nuk mund të pajtosh “fshatin” dhe nuk mund të predikosh bashkimin kur ke të përçarë dhe të ndarë familjen… Për më tepër, bashkimi apo federate, nuk mund të bëhet pa patur ide e program të qartë dhe pa bashkuar më parë pjesët. Aq më tepër, Federata nuk mund të bëhet mbi baza shokësh e miqsh apo duke mbledhur në “mexhlis” armiqtë e armiqve…Më duket se e majta ka më shumë nevojë për një rithemelim se sa një ribashkim. Aq më pak në këto kushte ka nevojë për një federatë. Por edhe kur të ketë, ajo nuk duhet të jetë federamë, por federatë…!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›