Kodi: Fletët e votimit digjen pas ankimimeve,Ristani:Vendimi për t’i asgjësuar sa më shpejt
Fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit mund të asgjësohen nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara zgjedhjeve lokale.
Në kohën kur debati ndërmjet maxhorancës dhe Partisë Socialiste bëhet për çështjen e hapjes së kutive të votimit për rinumërim, KQZ-ja mund të marrë vendimin për të djegur të gjitha fletët e votimit. Një gjë të tillë e detyron Kodi Zgjedhor, ku KQZ-ja është e detyruar që të marrë një vendim për djegien e fletëve të votimit, duke lënë në Arkivën Shtetërore vetëm procesverbalet që përmbajnë rezultatet e çdo qendre votimit. Neni 178 i Kodit Zgjedhor, pika gjashtë, sanksionon se “me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”. Ndërsa në pikën një është sanksionuar se “asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor, nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së”. Që prej datës 1 gusht, kur u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 qershorit, mund të merrte vendimin për asgjësimin e fletëve dhe të kundërfletëve, por një gjë të tillë ende nuk e ka bërë. Në ligjet zgjedhore të mëparshme, të 2006 dhe të 2007 ishte e përcaktuar se “fletët e votimit digjeshin pas një viti ose pas tre muajsh”, tani kjo çështje është lënë në dorë të lirë nga ana e vetë KQZ-së. Ndërsa ende nuk dihet se kur do të merret një vendim i tillë, ndërsa kutitë me 1.519.176 fletë votimi të vlefshme gjenden prej kohësh në magazinat shtetërore qeveritare në Lundër.
Procesverbalet dhe arkivat
Ndërsa një procedurë tjetër është e parashikuar për ruajtjen e procesverbaleve dhe të dokumentacionit të posaçëm të përdorur në këto zgjedhje. Ndërsa për djegien e fletëve të votimit, s’ka një afat kohor për procesverbalet e kutive të votimit dhe dokumentacionet e tjera parashikohet një procedurë të veçantë që zgjat deri në 2 vite gjithsej. Dokumentet origjinale të: “dokumentacionit të kandidatëve dhe partive politike që marrin pjesë në zgjedhje; të listës së emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KQV-së dhe komisioneve të tjera; c) të listës së qendrave të votimit; ç) të listave të zgjedhësve për zonën zgjedhore; d) të emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KZAZ-së; d) të dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, e)të njoftimeve zyrtare për zgjedhjet të KZAZ-së, të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për çdo qendër votimi dhe të shpalljes përfundimtare të rezultateve; f) të deklaratës së shpenzimeve të bëra për administrimin e zgjedhjeve i jepen KQZ-së brenda 3 muaj nga shpallja e rezultatit përfundimtar. Ndërsa KQZ-ja brenda 24 muajve i dorëzon dokumentet origjinale në Arkivën e Shtetit.
Neni 178 i kodit zgjedhor
Ruajtja e dokumentacionit
1. Asnjë procesverbal i KQV-së, KZAZ-së ose i një komisioni tjetër zgjedhor, nuk mund të asgjësohet pa miratimin paraprak të KQZ-së.
2. Të gjitha procesverbalet e KQV-së ose të çdo komisioni tjetër të ngritur nga KZAZ-ja, i jepen KZAZ-së në mënyrën dhe kohën e caktuar nga KQZ-ja.
3. KZAZ-ja mban nga një kopje: a) të dokumentacionit të kandidatëve dhe partive politike që marrin pjesë në zgjedhje;
b) të listës së emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KQV-së dhe komisioneve të tjera; c) të listës së qendrave të votimit; ç) të listave të zgjedhësve për zonën zgjedhore;
d) të emrave dhe adresave të të gjithë anëtarëve të KZAZ-së;
dh) të hartës së zonës zgjedhore me kufijtë e zonave të qendrave të votimit; e) të përshkrimit me shkrim të kufijve të të gjitha zonave të administrimit zgjedhor; ë) të dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve, të njoftimeve zyrtare për zgjedhjet të KZAZ-së, të shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për çdo qendër votimi dhe të shpalljes përfundimtare të rezultateve;
f) të deklaratës së shpenzimeve të bëra për administrimin e zgjedhjeve.
4. Dokumentet origjinale, të parashikuara në pikën 3 të këtij neni, i dërgohen KQZ-së brenda 3 muajve nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. KQZ-ja mban një kopje dhe ia dërgon dokumentet origjinale Arkivit Qendror të Shtetit, në mënyrën e kërkuar prej tij dhe brenda 24 muajve pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
5. Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.
6. Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
“Dhamë magazina me qira, kutitë i ruan KQZ”
Fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit ruhen në Lundër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, Hysen Arapi, tha dje në një intervistë për gazetën “Panorama”, se institucioni që ai drejton nuk ka asnjë përgjegjësi për ruajtjen e tyre. Arapi theksoi se KQZ-së i është dhënë me qira një magazinë, ndërsa dy të tjera i ka marrë në pronësi me vendim të qeverisë, por shtoi se mes dy institucioneve nuk mund të ketë bashkëpunim për djegien e fletëve të votimit, pasi KQZ-ja ta ketë miratuar këtë procedurë.
Sa të sigurta janë fletët e votimit të 28 qershorit, cila është procedura si ruhen ato?
Mund t’u shpjegoj që fletët e votimit nuk ruhen nga Drejtoria e Rezervave të Shtetit.
Cili është institucioni përgjegjës për ruajtjen e tyre?
Fletët e votimit administrohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vetëm ata mund t’ua shpjegojnë këtë. Ne u kemi dhënë me qira dhe me vendim qeverie tre magazina nga tonat.
Këto magazina janë të vendosura në Lundër?
Po, ato janë në Lundër, por për sigurinë e tyre nuk përgjigjemi ne, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Me pak fjalë Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit nuk ka asnjë përgjegjësi për ruajtjen e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit?
Përgjegjësia është kur unë e marr në dorëzim me procesverbal dhe atëherë përgjigjem, ndërsa për këtë rast unë nuk kam marrë gjë me procesverbal dhe nuk përgjigjem për ruajtjen e tyre.
E gjithë puna juaj në këtë proces është dhënia e tre magazinave për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Lundër? Ju nuk keni asnjë përgjegjësi tjetër?
Jo, absolutisht jo.
Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim për t’i djegur fletët e votimit, bashkëpunojnë me ju?
Është jashtë juridiksionet dhe kompetencave tona. Ne vetëm sa i kemi dhënë me qira një magazinë dhe dy të tjera Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka marrë në pronësi të tij me vendim qeverie.
Sa është afati i dhënies me qira të kësaj magazine?
Ne kemi menduar që afati të jetë për një vit me të drejtë shtyrje. a.sh
Ristani: Do djegim fletët e votimit
Aristir Lumezi
KQZ do të vendosë shumë shpejt për asgjësimin e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë e konfirmon kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili tha dje për “Panorama” se vendimi pritet të merret shumë shpejt në një nga mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Nuk kemi marrë ende një vendim për asgjësimin e fletëve të votimit. Sigurisht që do të marrim një vendim të tillë për asgjësimin e fletëve, pasi kemi përpara zgjedhjet lokale dhe na duhen kutitë e votimit. Kjo vendimmarrje pritet të merret në një nga mbledhjet e KQZ-së, sipas ligjit të miratuar për këtë qëllim”, u shpreh kryetari i KQZ-së. Sipas Ristanit, kutitë e votimit janë magazinuar në disa ambiente të Rezervave të Shtetit në Lundër pranë Tiranës, ndërsa afati i konservimit dhe i asgjësimit të tyre është në varësi të vendimit që do të marrë KQZ. Partia Socialiste ka kushtëzuar hyrjen e saj në Parlament me miratimin e një ligji në parlament, që do t’i mundësojë asaj hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, përmes hapjes së disa kutive të votimit. Bëhet fjalë për disa kuti votimi të qarkut të Tiranës, Beratit dhe Shkodrës, ku dyshohet se ka tjetërsim të rezultatit në procesin e numërimit të votave. Madje socialistët, në mungesë të një përgjigje nga maxhoranca për miratimin e këtij ligji, kanë paralajmëruar një protestë në rrugët e Tiranës ditën e shtunë, ku do të kërkohet bërja e transparencës për këto kuti. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, tha dje se “ende nuk është marrë një vendim nga KQZ për asgjësimin e kutive dhe materialeve zgjedhore, ndërsa situata është e rënduar për një gjë të tillë, për shkak të kërkesës dhe qëndrimit të PS-së”. Afatet e ruajtjes së materialeve zgjedhore në kutitë e votimit, ka ndryshuar vazhdimisht në draftet e Kodeve zgjedhore, të cilët janë hartuar sa herë në Shqipëri ka pasur zgjedhje. Në Kodin Zgjedhor të miratuar para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrohej të ruante fletët e votimit një vit pas daljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve. Ky nen i ligjit zgjedhor, në kodin e ri, të miratuar para zgjedhjeve për pushtetin vendor në 2007, e çoi këtë afat në tre muaj. Ndërsa Kodi i fundit, ai i zgjedhjeve parlamentare të 2008, i cili ishte produkt i konsensusit PS-PD, nuk përcakton asnjë afat kohor për ruajtjen e materialeve zgjedhore. Pas shpalljes së rezultatit zyrtar, KQZ ka të drejtën ligjore të marrë një vendim për asgjësimin e fletëve të votimit. Por asgjësimi i kutive të votimit në këtë periudhë, bëhet për një fakt të thjeshtë teknik, caktimi i datës së zgjedhjeve të pjesshme në pesë njësi vendore, për shkak të zgjedhjes së kryetarëve të tyre deputetë të parlamentit. Kërkesa për kuti votimi e detyron KQZ të bëjë të mundur asgjësimin e një pjese të kutive dhe përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për datën 15 nëntor, kur në 5 bashki dhe komuna votohet për kryetarin e tyre.
Berisha: Opozita të shprehet për vizat
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje PS-së të kthehet në Parlament dhe të dëshmojë se nuk është kundër liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i ekzekutivit u shpreh se, “e ftoj të vijë edhe për të treguar me praninë e saj se mbështet liberalizimin e vizave, se liberalizimi i vizave do të bëhet, ne do të plotësojmë të gjitha kushtet dhe kriteret, por është në interesin më të mirë të opozitës që të dëshmojë me praninë e saj se nuk është kundër këtij procesi, se është në mbështetje të këtij procesi”. Berisha premtoi në të njëjtën kohë se pakica do të ketë rol kryesor në miratimin e reformave. “Zëri i saj do të dëgjohet me seriozitetin më të madh, e garantoj se në reformën zgjedhore me ato rekomandime që bëhen në raportin e OSBE/ODIHR-it, opozita do të ketë zë kryesor dhe këtë opozita nuk e vë në dyshim”, theksoi kreu i PD-së.
PS: Hapja e kutive na kthen në Kuvend
Partia Socialiste nëpërmjet zëdhënëses së saj, Armela Imeraj, bëri publike sërish kërkesën për hapjen e kutive të votimit. “Kryeministri ka vetëm një rrugë për ta kthyer opozitën në Parlament dhe jetën politike në normalitet: Të mos pengojë zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit, të plotësojë kërkesën e opozitës për hetim parlamentar të pavarur prej tij, dhe të mos mbajë peng kutitë e votimit, por të lejojë hapjen e tyre para popullit. Përndryshe do të përballet me pasojat e vjedhjes së votave, fshehjes së provave dhe e mbajtjes së pushtetit përmes deformimit të vullnetit të popullit”, tha Imeraj. Ndërsa shtoi se “sa për vizat, zoti Berisha duhet të japë llogari, jo të kërkojë llogari! Prandaj sa më e jetëshkurtër kjo qeveri, aq më e shkurtër rruga e shqiptarëve për në Evropë”.