E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis diskutimi për ligjin e kufizimit të imunitetit

Mazhoranca dhe opozita kanë nisur konsultat e tyre me konstitucionalistët për të hartuar një draft të përbashkët për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Takimi i djeshëm ishte i pari. Në të morën pjesë nga PD-ja Rusmali, nga PS-ja Bufi, si dhe pedagogë të njohur të së drejtës kushtetuese, si Aurela Anastasi, Aleks Luarasi, Vasilika Hysi etj. Takimi është bërë me dyer të mbyllura, larg mediave, me qëllim që debati të jetë më shumë i fiksuar në çështje teknike sesa politike. Për "Shqip", bëhet e ditur se parimisht të gjithë janë shprehur pro kufizimit të imunitetit. Pedagogët e së drejtës kushtetuese kërkuan që të bëhet kujdes me prekjen e Kushtetutës, veprimet të jenë të matura dhe të shtrira në kohë, me qëllim analizimin e tyre sa më mirë. Pjesa më e madhe e debatit të tyre është përqendruar nëse duhet të preket imuniteti i drejtuesve të sistemit gjyqësor, apo vetëm i deputetëve. Pedagogët janë vetëm për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Këtij qëndrimi i është bashkuar edhe opozita, ndërsa mazhoranca ka mbajtur pozicionin e saj se duhet t‘u kufizohet imuniteti të gjithëve. Por gjithçka deri më tani është në kuadrin e deklaratave dhe mendimeve të ndërsjella, pasi nuk është hartuar ende një draft konkret dhe nuk janë hedhur piketat e para. Puna për realizimin e draftit do të vazhdojë, duke konkretizuar idetë e të gjitha palëve, me qëllim që të hartohet një projektligj që të gjejë mbështetjen e të gjithëve në Kuvend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›