Braçe: Topalli është mbështetur edhe nga të majtët
Opozita ka artikuluar vazhdimisht deklaratat e saj pro shkarkimit të Topallit nga posti i Kryetares së Kuvendit. Këto deklarata kanë ardhur pas sjelljeve jo të hijshme, sipas opozitës, të Kryetares Topalli në sallën e Kuvendit, ku nuk kanë munguar sharjet, akuzat dhe gjuha e rrugës. Deklarata e djeshme e bërë nga Ndoka, nuk është se i ka gjetur të papërgatitur deputetët e PS-së, por ata shprehen skeptikë, pasi nuk iu zënë besë më sjelljes dhe qëndrimit të disa deputetëve në Kuvend, qofshin këta edhe të PS-së. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi dje se "për fat të keq, zonja Topalli ka gjetur mbështetje publike apo jopublike, ilegale, nën tavolinë nga shumë grupe parlamentare, midis të cilave ka pasur edhe deputetë të opozitës që i kanë dhënë mbështetje. U diskutua një prej iniciativave tona kushtetuese në raport me zonjën Topalli, që t‘i falej për herë të fundit faji, mënyra dhe degjenerimi i Parlamentit, siç ka ndodhur. Ashtu siç kam ndier, që nën tavolinë vota të opozitës kanë rrjedhur për zonjën Topalli. Ju mund t‘i gjeni dhe t‘i shikoni fare mirë se kush, fërkohet, përkëdhelet apo bën qejf me zonjën Topalli."