Çfarë ndryshon në Kodin e ri Civil të Republikës
Nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Civil, mazhoranca kërkon të rrisë shkallën e luftës kundër korrupsionit. Në Kodin Civil propozohet të shtohet një kapitull i veçantë, i cili parashikon çështje, të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësinë që rrjedh nga veprime korruptive. Në kod parashikohen dispozita që rregullojnë parashkrimin e padisë, nenet që rregullojnë afatin e parashtrimit të padisë për shpërblimin e dëmit jo-kontraktor janë në përputhje me afatin minimal të parashikuar nga konventa. Në dispozitën e re që shtohet është përcaktuar jo vetëm afati prej 3 vjetësh dhe çasti prej nga llogaritet ky afat, por edhe afati maksimal prej 10 vjetësh, që nga çasti kur ka ndodhur veprimi korruptim. Gjithashtu, në kod është përcaktuar që të parandalohen të gjitha sanksionet ndaj punonjësve, të cilët sinjalizojnë dyshimet e tyre për akte korruptive. Në nenin 1, të Kodit Civil, thuhet se personi që nëpërmjet kërkimit, ofrimit a pranimit të drejtpërdrejtë ose tërthorazi të një mitmarrje, detyrohet të shpërbleje dëmin e shkaktuar. Kompensimi i dëmit mund të mbulojë dëmtimin material, humbjen e përfitimeve dhe humbjet jo monetare. Kompensimi për shpërblimin e dëmit nga veprimet korrruptive pakësohet ose hiqet në rrethana kur personi i dëmtuar me faj ka ndihmuar në shkaktimin e tij. Personi i dëmtuar mund të ngrejë padi për shpërblimin e dëmit në zbatim të nenit 639/1, pas kalimit 10 vjet nga data e kryerjes së veprimit korruptim. Çdo kontratë që ka për objekt veprime korruptive, ose kontrata që janë të lidhura me çfarëdolloj titulli, janë të pavlefshme.