E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita provon forcën, rrëzon me vota mazhorancën në Kuvend

Mazhoranca ka ndier dje se mund të kthehet herë pas here edhe në një mazhoranca efektive, që nuk mund të miratojë ligjet e domosdoshme kushtetuese. Opozita me votën e disa deputetëve të saj kundër, ka treguar se ka mundësi të luajë ende një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen e Kuvendit, ndaj demokratët, para se të dërgojnë për votime ligje që duan 84 vota, duhet të marrin më parë konsensusin e opozitës. Konsensus, i cili do t‘u jepet vetëm nëse PD-ja dërgon sa më shpejt në Kuvend për miratim ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ky paralajmërim, demokratëve u është dhënë dje nga kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, e cila në emër të selisë rozë, ka paralajmëruar se grupi i PS-së nuk do të japë asnjë konsensus për ligjet e rëndësishme në Parlament, nëse mazhoranca nuk vendos një datë të saktë për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Qëndrim ky, që është vënë në zbatim menjëherë nga grupi i PS-së, i cili gjatë votimit të djeshëm në Kuvend nuk ka votuar pro ndryshimeve në Kodin Civil, i cili kërkonte 84 vota pro. "Ajo që unë kam deklaruar, ka të bëjë me qëndrimin e grupit parlamentar të PS, pra kam thënë që ne, si opozitë, jemi pro ndryshimeve në Kodin Civil, pasi mbështesim luftën kundër korrupsionit, por do ta votojmë atë vetëm kur nga mazhoranca të jepet një datë e saktë se kur do të votohet Kodi i ri Zgjedhor". Leskaj tha, se në emër të grupit, kam kërkuar të përshpejtohet puna për miratimin e kodit elektoral për shkak se çdo vonesë mund të cenojë cilësinë e procesit zgjedhor, sepse jemi në limitet e fundit. Ndërkohë që mazhoranca ka reaguar menjëherë pas këtij votimi në Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje, se me këtë votim, opozita tregoi se nuk është e interesuar të miratohen ligje për të luftuar korrupsionin në vend. Patozi tha se mos miratimi i ndryshimeve në Kodin Civil erdhi vetëm pasi opozita nuk e dha në tërësi votën pro. "Ultimatumi i zonjës Leskaj nuk kishte lidhje me votimin e sotëm, pasi një pjesë e grupit votoi kundër këtij projektligji, ndërsa një pjesë pro. Është një gjest jo shumë serioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur, kur PS-ja bëhet, për fat të keq, avokate e korrupsionit në të gjitha segmentet ku ai është i pranishëm", është shprehur Patozi. Në votimin e djeshëm kanë votuar pro ndryshimeve në Kodin Civil vetëm 77 deputetë. Ndërkaq, 13 deputetë kanë votuar kundër, të cilët janë Bejtaj, Braho, Çuli, Divjaka, Koçi, Kola, Kosta, Legisi, Memushi, Neranxi, Ngjela, Prifti, Xhufi. Ndërsa 21 deputetë të tjerë të PS-së kanë votuar pro ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por mungesa e ministrave kanë ndihmuar rrëzimin e ligjit. Pasi dje në Kuvend kanë qenë vetëm tre ministra Beja, Gjana dhe Xhuveli, vota e të cilëve nuk ka vlejtur shumë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›