Deputetët në 12 qarqe, ligj të veçantë për ndarjen e mandateve
Sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, deklaroi dje se do të ketë një ligj të veçantë për ndarjen e mandateve të deputetëve në çdo qark. Sipas tij, do të jepet fillimisht një formulë matematike në Kodin Zgjedhor. Më tej, sqaroi ai, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë përllogaritjet dhe do t‘i sjellë në Parlament. "Dhe do të ketë një ligj të veçantë për përcaktimin e numrit të deputetëve për çdo qark", vlerësoi Islami. Formula nënkupton pjesëtimin e totalit të votuesve që ekzistojnë në lista me numrin 140 që përkon me deputetët që ka Kuvendi. Më pas duhet të pjesëtohet numri i zgjedhësve që janë të regjistruar në listën e votuesve në secilin qark me këtë numër që doli. Kjo bën të mundur përftimin e numrit të mandateve të deputetëve për qarkun respektiv. Numrat në fjalë dalin në shumicën e rasteve me presje dhjetore, ndaj fillimisht llogariten mandatet e plota. Ajo që mbetet për t‘u plotësuar është kuota prej 140 deputetësh, shpërndahen mbi krahasimin e mbetjeve dhjetore. Ai qark që ka mbetjen më të madhe merr deputetin shtesë, kjo vijon deri sa të shpërndahen mandatet që mbesin. Në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor më 18 shkurt 2007, ishin të regjistruar në listat e zgjedhësve 2.850.521 zgjedhës. Ky numër ishte i shpërndarë në 12 qarqet që përbëjnë ndarjet më të mëdha administrative të vendin tonë. Bazuar mbi këto shifra mund të realizohet llogaritja e përafërt e ndarjes së mandateve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2009. Nëse zbatohen llogaritjet nisur nga procesi elektoral i fundit, pritet që Qarku i Beratit të ketë 8 mandate, Dibra 6 të tilla, Durrësi 13, Elbasani 14 dhe Fieri 16. Qarku i Gjirokastrës mund të ketë 5 deputetë, Korça 12, Kukësi 3, Lezha 7, Shkodra 11, Tirana 32 dhe Vlora 13. Shtetasit shqiptar do të mund të kenë të afishuar listën paraprake të votuesve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 brenda janarit. Kështu mësohet të jetë rënë dakord mes palëve në kuadër të ndërhyrjes në Kodin Zgjedhor. Burimet sqarojnë se kjo etapë është kusht i rëndësishëm për të kaluar më tej në përcaktimin e saktë të mandateve të deputetëve që do të ketë secili nga 12 qarqet aktuale. Në Kodin Zgjedhor gjithsesi do të përcaktohet formula mbi të cilën do të llogariten këto mandate. Në një moment të tillë mund të konkretizohen edhe listat e plota të kandidatëve për deputetë të subjekteve politike. Deri më tani është pranuar se puna për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor është drejt fundit. Drejtuesit e lartë të socialistëve dhe demokratëve kanë diskutuar për shumë kohë kapitujt dhe janë duke përmbyllur gjithçka. Siç është deklaruar dhe premtuar më parë, pritet që Kodi i ri Zgjedhor të mund të kalojë për votim në seancë brenda muajit tetor.