E Diel, 1 Nëntor 2026

10-vjetori i ndërhyrjes në Serbi, Kosova falënderon NATO-n

Sejdiu: “Mirënjohje SHBA-ve dhe vendeve perëndimore për mbështetjen”. Ollbrajt: “Lufta u bë në emër të lirisë së njerëzve që përndiqeshin”

Blerina Olldashi
Dje u mbushën 10 vjet nga bombardimet e NATO-s mbi Serbi gjatë luftës në Kosovë. Në këtë datë të shënuar autoritetet kosovare falënderuan NATO-n për mbështetjen ndaj vendit të tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-ve dhe vendeve perëndimore që ndihmuan Kosovën në periudhën më të keqe të historisë së saj dhe po e ndihmojnë edhe sot në procesin e njohjes ndërkombëtare. Sipas presidentit Sejdiu, sulmet 78-ditore të Aleancës Veriatlantike e shpëtuan popullin e Kosovës nga shfarosja e paramenduar, skenari i së cilës ishte hartuar me ftohtësi në qarqet më të larta shtetërore dhe akademike serbe.
Me këtë rast Sejdiu falënderoi edhe komandantët dhe ushtarët e KFOR-it për punën në ruajtjen e paqes, të sigurisë dhe të stabilitetit në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e EULEX-it, që po ndihmojnë në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtësisë. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi u shpreh se populli i Kosovës do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës vendeve perëndimore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s për përkrahjen e luftës së drejtë për liri dhe pavarësi. Në mesazhin e tij kryeministri Thaçi vlerësoi se “përfundimi me sukses i fushatës së intervenimit të NATO-s hapi kapitull të ri në historinë e Kosovës, atë të lirisë dhe ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë”. Me rastin e 10-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, kryeministri zbuloi dje një pllakë përkujtimore në Bllacë të Hanit të Elezit. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt, duke folur për luftën e vitit 1999 në Kosovë, tha se të gjitha ndërhyrjet u bënë në emër të lirisë së njerëzve që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre. “E çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78-ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin”, - tha Ollbrajt. “Në atë kohë isha sekretare e Shtetit dhe kam qenë dëshmitare kur na u desh të hynim në Bosnjë”, - tha Madlen Ollbrajt, e cila beson se shumë mësime janë nxjerrë nga veprimi i NATO-s. Historianët e kanë vlerësuar këtë datë si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës, kur u hodhën nga NATO-ja bombat e para mbi forcat ushtarake dhe policore të Serbisë më 24 mars të vitit 1999 dhe fushata përfundoi më 10 qershor të po atij viti, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës. Gjatë ditëve të bombardimeve, pamjet në ekranet e mediave botërore tregonin për vrasje të civilëve shqiptarë dhe një përndjekje të popullatës nga forcat serbe të sigurimit. Rreth 1 milion njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pothuajse po aq edhe u kthyen pas përfundimit të luftës. Në fund të luftës rreth 10 000 veta rezultuan të vrarë dhe 5000 të zhdukur. Megjithatë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it, më 12 qershor hynë në Kosovë duke shënuar një nga ditët më të lumtura për qytetarët kosovarë. Dhjetë vjet që prej fillimit të fushatës ajrore të NATO-s Kosova gëzon shtetin e saj, të njohur nga 56 vende të botës, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Beogradi: Bombardimet duhet të ishin shmangur

Qeveria serbe e nisi dje mbledhjen me një minutë heshtje, në shenjë nderimi për viktimat e bombardimeve të NATO-s, si dje 10 vjet më parë. “Bombardimet e NATO-s nuk e kanë zgjidhur problemin e Kosovës dhe nuk kanë vendosur sundimin e rendit dhe ligjit. A ka qenë e mundur të shmangeshin bombardimet? Përgjigjen e dimë. Vetëm arsyeja mund ta luftojë të keqen”,- u shpreh Cvetkoviç në seancën e hapur të qeverisë serbe me rastin e 10-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Qeveria serbe thotë se me të dhënat që ka, gjatë bombardimeve janë vrarë 1002 ushtarë dhe policë dhe rreth 2500 civilë. Zëvendësi i kryeministrit dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, me këtë rast ka thënë se bombardimet nuk duhet të harrohen, por as të përsëriten më kurrë. “Bombardimet u bënë pa lejen e Kombeve të Bashkuara dhe rezultati i tyre është shpallja e pavarësisë së Kosovës. Çfarëdo të ketë qenë shkaku, ai veprim nuk duhet të ishte zbatuar në një botë të qytetëruar dhe demokratike. Ishte krim mbi popullin tonë”, - tha Daçiç.

Petriç: “Rambujeja ishte shans i humbur”

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Volfgang Petriç, deklaroi se Rambujeja ka qenë një shans i humbur. “Sikur dhjetë vjet më parë të ishte nënshkruar Marrëveshja e Rambujesë, me kushtin që pas tre vitesh të kishte një zgjidhje tjetër, atëherë sot do të ishim ndoshta më përpara në rezultatet e arritura”, - tha Petriç në një intervistë për mediat. Sipas tij, ndërhyrja ushtarake e NATO-s nuk i dha fund konfliktit, por e futi atë në një fazë tjetër.
Diplomati austriak, duke folur për politikën e Beogradit në drejtim të Kosovës, tha se gjatë këtyre viteve ka pasur faza të ndryshme, por nën presionin e forcave ekstremiste, Kosova u kthye serish në rendin e ditës. “Në vend që të provohej me afrim pragmatik, problemi i Kosovës është përkeqësuar dhe komplikuar vitet e fundit. Kjo ka bërë që të zvarritet edhe vendosja përfundimtare e paqes në rajon”, - u shpreh Petriç.

Komisioneri i KE-së, në Prishtinë për të drejtat e pakicave

Komisioneri i të Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Thomas Hamarberg, mbërriti dje në Prishtinë për një vizitë zyrtare 4-ditore. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë komisioneri i KE-së, Hamarberg, diskutoi për gjendjen rreth rendit dhe ligjit, funksionimin e administratës dhe të drejtat e pakicave në Kosovë.
Sipas njoftimit të misionit të Këshillit të Europës, në axhendën e komisionerit Hamarberg do të jenë edhe lufta kundër korrupsionit, vendosja e pranisë ndërkombëtare, të drejtat e refugjatëve, kërkuesit e azilit dhe të zhvendosurit e brendshëm, si dhe çështje që lidhen me diskriminimin. Komisioneri i Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut është institucion i pavarur brenda Këshillit të Europës, i mandatuar të promovojë respektimin e të drejtave të njeriut në 47 shtetet anëtare të organizatës. Ai zgjidhet nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës.

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›