Kriza ekonomike, vetëvaret pronari i një firme të falimentuar ndërtimi
Tiranë – Kriza ekonomike ka sjellë viktimën e parë në radhët e biznesit. Pronari i një kompanie të falimentuar ndërtimi u gjet dje në mbrëmje i vetëvarur në banesën e tij. Viktima është Gjergji Shehu, 43 vjeç, lindur e banues në Tiranë, baba i dy fëmijëve. Ai u gjet i vdekur në banjën e apartamentit të tij që ndodhet pas shkollës “Edith Durham” në kryeqytet. I ndjeri u zbulua nga e ëma, e cila e lemerisur u përball me skenën e tmerrit. Çdo përpjekje për ta mbajtur në jetë, duke e dërguar të vetëvarurin në spital, rezultoi e pavlerë pasi ai kishte humbur jetën. Policia konfirmoi lajmin zyrtarisht dhe tha se Gjergji Shehu, pronar i një firme ndërtimi, u gjet i varur në banjën e shtëpisë, në orën 12.30 të ditës së djeshme. “Dyshimet e para bien mbi vetëvarjen në kushtet e shqetësimit për problemet financiare”, - deklaroi policia, e cila shtoi se po i vazhdon hetimet intensivisht për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e plota të ngjarjes. Mësohet se i ndjeri, i martuar dhe me dy fëmijë, para pak kohësh kishte shpallur falimentimin e biznesit të tij në fushën e ndërtimeve. Pas falimentimit, në përpjekje për të ringritur dhe mbajtur gjallë biznesin e tij disavjeçar, 43-vjeçari Shehu ka marrë një sasi të madhe të hollash në formë kredish bankare që nuk po mundte t’i shlyente. Ky shkak besohet ta ketë nxitur 43-vjeçarin në vendimin tragjik për t’i dhënë fund jetës duke u vetëvarur.
25 Mars 2009