SHBA-të përgëzojnë Maqedoninë për zgjedhjet demokratike
Shtetet e Bashkuara kanë përgëzuar Maqedoninë për organizimin e mirë të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe kanë bërë thirrje që të vazhdohet në këtë mënyrë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve, më 5 prill. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Vud, tha se “Shtetet e Bashkuara urojnë Maqedoninë dhe qytetarët e saj për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe lokale, që kryesisht kanë kaluar të qeta dhe pa incidente”. Vëzhguesit e OSBE-së, po ashtu, kanë vlerësuar se zgjedhjet e së dielës në Maqedoni kanë kaluar sipas standardeve ndërkombëtare, me përjashtim të disa lëshimeve procedurale. Ndërkohë, në Maqedoni, kandidatët që dolën në balotazh po bëjnë thirrje për të marrë votat e qytetarëve. Kandidati i opozitës, Lubomir Ferckovski, ka deklaruar se në raundin e dytë pret që të marrë edhe votat e votuesve shqiptarë.
Ndërsa kryeministri Nikolla Gruevski konsideroi se në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale votat e shqiptarëve dhe të anëtarësisë së vjetër të VMRO-DPMNE-së do të merren nga kandidati i partisë së tij, Gjorge Ivanov.
25 Mars 2009