10-vjetori i zgjerimit të NATO-s
10 vjet të anëtarësimeve të reja në NATO kanë sjellë më tepër siguri dhe kanë forcuar reagimin ndërkombëtar. Por angazhimi në NATO ka sjellë gjithashtu edhe humbje të jetëve. 10 vite më parë, 3 vende të ish-Bllokut Sovjetik në lindje të Evropës iu bashkëngjitën organizatës së Atlantikut të Veriut. Në këtë formë ata kompletuan tranzicionin nga vende komuniste në vende demokratike dhe kthyen aleancën e tyre nga Lindja në Perëndim.
Polonia, Hungaria dhe Çekia nënshkruan dokumentet e anëtarësimit në vitin 1999, me pikësynimin për të rritur sigurinë në Evropë dhe në mbarë botën. Ky ishte edhe një vendim i tyre për t’u vënë në krah të vendeve demokratike të Evropës dhe të Amerikës së Veriut. Dje më 12 mars, ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Jashtëm i Polonisë morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 10-vjetorit të anëtarësimit të vendit në NATO dhe të përkujtimit të të gjithë atyre që dhanë jetën në misionet ushtarake të kësaj organizate. Presidenti polak, Les Kazincki dhe përfaqësues të tjerë polakë vunë kurora me lule tek monumenti i Ushtarit të Panjohur, në përkujtim të atyre që kanë humbur jetën në Kosovë dhe në Afganistan. Ministri i Jashtëm, Radoslav Sikorski, i cili është një nga pretendentët për t’u bërë sekretari i ardhshëm i aleancës, kushtoi respekte tek monumenti i Flakës së Përjetshme. Sekretari aktual i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, mbajti një fjalim në Parlamentin hungarez dhe hapi një konferencë ndërkombëtare të titulluar “10 vjet në NATO: Një dekadë sigurie”. Kjo konferencë përkujton 10-vjetorin e anëtarësimit të Evropës Qendrore në aleancë dhe diskuton sfidat e NATO-s në të ardhmen. "Në ditën kur Çekia, Hungaria dhe Polonia u bënë anëtare të NATO-s, lufta e ftohtë përfundoi për mirë dhe drejtësia fitoi mbi historinë”, - deklaroi Scheffer. Anëtarësia në aleancën ushtarake që zëvendësoi paktin e Varshavës ka prurë një seri të mirash për të tre anëtarët.
Një analist hungarez argumenton se zgjerimi i NATO-s në Lindje ka përfitime të dyanshme. Presidenti i Qendrës Ndërkombëtare për tranzicion demokratik, Istvan Giarmati, thotë se vendet anëtare i kuptojnë më mirë gjërat.
Duke marrë si shembull Afganistanin, ai thotë: “Ne i kuptojmë më mirë problemet e tranzicionit në Afganistan, sepse të tjerët nuk kanë pasur asnjëherë tranzicion, ose e kanë bërë 200 vjet më parë”. Në fakt, kalimi nga komunizmi në demokraci është ende i gjallë në memorien e disave në Hungari. Revolta e vitit 1956 kundër regjimit sovjetik zgjati për disa javë në Hungari. Luftimet nëpër rrugë u përhapën në të gjithë vendin, ndërkohë që revolta e studentëve shfrytëzoi momentin derisa trupat sovjetike ndërhynë me forcë për të shuar revoltën. Prania ushtarake sovjetike në Hungari zgjati deri në vitin 1991. Më 12 mars të vitit 1999, sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt, ftoi formalisht Poloninë, Hungarinë dhe Çekinë që t’i bashkohen NATO-s dhe në këtë mënyrë zgjeroi anëtarësinë në 19 vende. Në ceremoninë që u mbajt në Misuri të Shteteve të Bashkuara, të tria këto vende u bënë të parat vende të ish-Bllokut Sovjetik që i bashkoheshin NATO-s. Të porsaardhurit thanë se e shikonin NATO-n si një faktor sigurie dhe si një përkatësi natyrore të tyre në vlerat evropiane. Zgjerimi i NATO-s do të vazhdojë me anëtarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në javët në vijim.