E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni i ri i Turqisë



Deri në sanksionimin e Turqisë si regjim republikan, ky vend është lëkundur shpesh mes kërkesës së vazhdueshme për t'u bërë pjesë e Perëndimit dhe lidhjeve të saj otomane me Lindjen, dilemë e cila edhe sot ka mbetur pa një përgjigje të saktë. Problemi themelor i identitetit të Turqisë ka bërë që ajo të ndezë të gjithë motorët e makinës së saj diplomatike, për të forcuar aleancat, strategjitë dhe rikonceptuar rolin e saj rajonal e global. Perceptimi në ndryshim e sipër, se Turqia ia ka dalë mbanë të gjejë besimin te vetja ka ngjallur njëherazi interesin, deri më tani të pashpresë, për të shërbyer si interlokutore e paqes mes Izraelit dhe armiqve të saj arabë, Sirisë dhe Hamasit.

Zelli i Kryeministrit, Rexhep Taip Erdogan, për të zënë vendin e Egjiptit si një mediator në rajon, si dhe kritikat e ashpra të tij adresuar mënyrës se si reagoi Izraeli në Gaza, ngjan për shumë njerëz si një tentativë për të rikuperuar rolin e Turqisë në periudhën otomane, si garantuese e paqes dhe sigurisë në rajon. Kreditë e saj për këtë rol në Lindjen e Mesme, nuk duket se janë të papërfillshme, edhe nëse kthehemi pas në kohë.

Turqia është një superfuqi rajonale, me një ushtri nga më të mëdhatë e botës. Sakaq, është një vend mysliman, që edhe pse nuk ndihet më pak e shqetësuar se sa Izraeli për shkak të ambicieve nukleare iraniane; ka mundur të mbajë raporte të shkëlqyera ekonomike dhe politike me Teheranin, duke tejkaluar edhe bezdisjen që shkakton kjo gjë tek amerikanët. Sigurisht, edhe Siria është aleate e Iranit, por asnjë vend nuk ka mbi Iranin influencën që gëzon Turqia. Ofensiva e saj diplomatike konstatohet edhe së fundmi kur ajo (Turqia-shen.im) firmosi traktatin e miqësisë me Arabinë Saudite, ndërkohë që mban marrëdhënie të shkëlqyera me Pakistanin dhe Irakun.

Insistimi i Evropës për të injoruar përpjekjet e Turqisë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, tendencat në rritje të sentimentit popullor antiperëndimor për arsye të luftës në Irak dhe marrëdhëniet e tensionuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - të ndikuara pjesërisht edhe nga edhe nga ligji mbi genocidin armen, që pritet të marrë fuqi vepruese së shpejti - janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në ndryshimin e kursit /drejtimit të Turqisë. Përpjekjet e revolucionit të Ataturkut për ta ndarë atë nga bota arabo-myslimane, kanë dhënë efektin e saj. Turqia e Partisë për Drejtësi e Zhvillim (AKP), e drejtuar nga Erdogani, po kërkon të ndërmarrë një mision të ri në Lindjen e Afërt si dhe në ish-republikat sovjetike, në një të ardhme jo të largët. Sfida që do përballet Turqia në të ardhmen, është rimarrja e rolit të saj në rajon, pa tradhtuar idetë dhe rrugën e ndjekur nga Ataturku. Demokracia dhe vlerat e sekularizmit kanë përmirësuar fort imazhin e Turqisë, falë edhe dialogut me vendet e Evropës dhe lidhjet e saj me Amerikën. Turqia mund të shndërrohet në një model për vendet e Lindjes së Afërt, nëse - gjatë periudhës që promovon interesat e saj strategjike dhe ekonomike - i bën ballë tundimit për të mos rënë në pozita autoritarizmi - dhe vijon të dëshmojë se Islami dhe Demokracia përputhen në mënyrë perfekte.

Për Izraelin, ky është një mesazh që duhet t'ia ketë vënë veshin tashmë prej kohësh: e ardhmja e tij në Lindjen e Mesme nuk gjen shtrat për t'u zhvilluar në aleancat strategjike me fuqitë joarabe të rajonit, përkundrazi, në politikat e pajtimit me vetë botën arabe. Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, pesimizmi i David Ben-Gurion mbi mundësinë e arritjes ndonjëherë të një marrëveshje paqeje me vendet arabe, bëri që ai të farkëtonte një "Aleancë të Periferisë" me vendet joarabe të harkut të jashtëm në Lindjen e Afërt: me Iranin, Etiopinë dhe Turqinë (ndërkohë që ëndërronte të përfshinte në këtë aleancë dhe komunitetin maronit të Libanit).

Askush prej këtyre vendeve nuk kishte konflikte domethënëse me Izraelin, dhe të gjitha bashkë, pak a shumë, kishin marrëdhënie të tendosura me fqinjë e tyre arabë. Fuqia ushtarake e Izraelit, progresi i arritur në fushat ekonomisë dhe bujqësisë, si dhe perceptimi i ekzagjeruar i aftësisë së saj për të lobuar dhe influencuar në politikën amerikane, bënë që aleanca me Izraelin, të rezultonte shumë tërheqëse dhe motivuese për këto vende.

Kjo Aleancë, ishte një gjetje me mend dhe një shtegdalje ndaj pasojave të konfliktit arabo-izraelit. Çka bëri që shpirt-qenia e popullit izraelit, të reagonte në çlirimin e energjive krijuese për çështjet ekonomike dhe sociale, si dhe njëherazi, i jepnin vlerë një politike të jashtme të pavarur dhe krijuese, duke mos u bërë as pjesë e kufizimeve paralitike të konfliktit arabo-izraelit, por as edhe duke mbetur peng i tyre. Megjithatë, siguria që paramendohej se do të sillte me vete implementimi i këtij projekti, nuk u arrit. Fokusimi te konfliktit arabo-izraelit mbeti përsëri në kuota të larta. Aftësia e arabëve për ta mbajtur të mbërthyer opinionin publik botëror në atë çka ngjante me palestinezët, bëri që tentativat e Izraelit për të shmangur pasojat e konfliktit, nëpërmjet betejave të kohëpaskohshme apo dhe farkëtimit aleancave rajonale alternative, të rezultonin një punë pa dobi. Revolucioni islamik në Iran, ndryshimet e ndodhura në Etiopi pas rënies së regjimit të Haile Selassi-së, kalimi i pushtetit në Liban nga duart e maronitëve në duart e Hezbollahut, e lënë Turqinë si të vetmen anëtare të "Aleancës së Periferisë" me Izraelin.

Tashmë, edhe pse establishmenti i fuqishëm ushtarak i Turqisë që të duket se vazhdon të ngulmojë për të mbajtur lidhje të ngushta me Izraelin, nga ana tjetër, mbështetje të fuqishme popullore e Turqisë në prioritetet shfaqura në politikën e jashtme, si dhe dilemat e identitetit të këtij kombi, shërbejnë si një “mesazh i dërguar” Izraelit, ku kuptohet qartazi se: "Aleanca e Periferisë" tashmë nuk shërben më si një alternativë për paqe me botën arabe. Qysh më tani e më pas, ajo mund të shërbejë vetëm si pjesë komplementare (plotësuese) e kësaj paqeje.

* Ish-ministër i Jashtëm i Izraelit, aktualisht zv.president i "Toledo International Center for Peace"

Përgatiti në shqip: Zamir Gjurgji

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›