E Diel, 1 Nëntor 2026

10 yje gati të shkëlqejnë në Austri dhe Zvicër

Kur mbetet vetëm një javë nga fillimi i Euro 2008, të gjithë kanë filluar parashikimet se cila përfaqësuese do të shpallet "Mbretëreshë e Evropës". Listat e lojtarëve janë publikuar, klubet nga e gjithë bota po përgatiten të dërgojnë në Austri dhe Zvicër zbuluesit e talenteve, ndërsa trajnerët mund të rrisin reputacionin e tyre me një paraqitje të mirë, ose të turpërohen që në fazën e grupeve. Çfarëdo që të ndodhë, aktiviteti më i rëndësishëm në kontinent pritet të jetë spektakolar, edhe për faktin se në fushat e lojës do të zbresin disa prej futbollistëve më të mëdhenj. Kjo është një listë me 10 yje që me siguri do të jenë protagonistë.

10. Luka Modriç — Kroaci

Mesfushori, i cili mund të luajë edhe si sulmues i dytë, momentalisht cilësohet si një prej të rinjve më brilantë dhe premtues në botë. Në vitin 2007, kur mbronte ngjyrat e Dinamos së Zagrebit, u votua si "Lojtari i Vitit" në Ligën Kroate. Pavarësisht këtij vlerësimi, Modriç ishte pothuajse i panjohur për opinionin botëror deri në momentin kur luajti kundër Anglisë në një miqësore. Nëse ndokush ende nuk e njeh (ose nuk e ka parë në aksion), në fund të Euro 2008 do ta kuptojë përse tifozët e Totenhemit janë aq entuziastë për blerjen e re të skuadrës.

9. Fabio Kanavaro — Itali

34-vjeçari, triumfues në Kupën e Botës, vazhdon të cilësohet si një prej mbrojtësve më të shkëlqyer në këtë sport. Kjo u konfirmua në Gjermani, në Botërorin 2006, ku ishte mes lojtarëve më të mirë të aktivitetit. Atë vit, Kanavaro, i cili është vetëm 175 centimetra i gjatë, u shpall "Lojtari më i Mirë në Botë", falë paraqitjeve me Juventusin dhe kombëtaren italiane. Kapiteni "axurr" luajti çdo minutë të Kupës së Botës dhe me lojën e tij, skuadra pësoi vetëm dy gola në të gjithë kompeticionin. Ndër të tjera tregoi edhe shumë eksperiencë e disiplinë, duke mos u ndëshkuar me asnjë karton të verdhë apo të kuq. Por, kur mungojnë vetëm pak orë nga fillimi i Euro 2008, a do të jetë në gjendje Kanavaro të paraqitet në formën me të cilën udhëhoqi Italinë drejt lavdisë dhe i dha atij vetë mundësinë për t‘u transferuar te Reali i Madridit?

8. Luka Toni — Itali

Në moshën 31-vjeçare, sulmuesi duket se po kalon formën më të mirë të jetës së tij: qoftë me klubin ku militon, ashtu edhe me përfaqësuesen. Toni ishte mes lojtarëve që i dhanë Bajernit të Mynihut titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë, duke shënuar 24 gola në 31 ndeshje (natyrisht duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit) dhe 10 gola në Kupën UEFA. Edhe pse në Botërorin 2006 nuk u paraqit si një sulmues goli, ai ka arritur një mesatare të lartë golash të shënuar për ndeshje në eliminatoret e Kampionatit Evropian. Momenti më i lumtur ishin dy golat që i shënoi Skocisë në fitoren 2-0 të Italisë në "Hampden Park". Mbetet për të parë nëse forma e jashtëzakonshme e Tonit do të vazhdojë edhe në këtë turne, për ta udhëhequr skuadrën e Donadonit drejt lavdisë.

7. Çesk Fabregas — Spanjë

Spanjolli i talentuar morri vlerësimet maksimale në fillim të sezonit, duke çarë mbrojtjet kundërshtare me pasime të zgjuara dhe shumë efektive. Duke qenë se ishte lojtari kyç i Arsenalit, ai ndihmoi edhe shokun e skuadrës, Emanuel Adebajor, që të shënonte gola pafund: nga e majta, e djathta dhe në qendër të sulmit. Fabregas i shtoi edhe diçka të re repertorit të tij, duke shënuar gola fantastikë që u jepnin fitoret "topçinjve". Edhe pse forma e tij ra pas Krishtlindjeve, Luis Aragones nuk ka asnjë dyshim që mesfushori do të jetë një lojtar tejet i rëndësishëm për kombëtaren. Fabregas është vetëm 20 vjeç dhe nuk ka dyshim që ky nuk do të jetë kompeticioni i tij i fundit i rëndësishëm, megjithatë në Austri dhe Zvicër ai ka shansin të bëhet lideri i Spanjës dhe të konfirmohet si lojtar i klasit botëror.

6. Karim Benzema — Francë

Së fundmi, është votuar "Lojtari më i Mirë në Francë". 20-vjeçari i Lionit ka shpërthyer në sezonin që sapo u mbyll dhe tashmë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës e kanë përqendruar vëmendjen tek ai. Me 20 gola të shënuar në 32 ndeshje të luajtura, udhëhoqi skuadrën drejt titullit kampion në Francë dhe Kupës. Gjithashtu, ai festoi ndeshjen e parë me kombëtaren, duke shënuar dy gola në një ndeshje eliminatore. Me ato që ka treguar në fushën e lojës, Benzema është një lojtar shumë i kompletuar: fuqi, shpejtësi, pozicionim dhe (ashtu si mund ta mbajnë mend tifozët e Mançester Junajtid) të realizojë gola nga asgjëja. Padyshim që Rajmond Domenek do ta aktivizojë shumë sulmuesin, pasi, ndër të tjera, ai mund të luajë pa problem, si në qendër ashtu edhe në krah. Ashtu si për Fabregas, ky nuk ka për të qenë aktiviteti i fundit madhor i Benzema, por thjesht një mundësi për t‘u konfirmuar dhe për t‘u transferuar në një prej klubeve më të mëdha evropiane.

5. Klas-Jan Huntelar — Holandë

Kur kujton Huntelar, në mendje të kalon vetëm një fjalë: goleador. Sulmuesi i Ajaksit shënoi 33 gola në 34 ndeshje me skuadrën në kampionat dhe në mënyrë të paevitueshme filluan edhe krahasimet me sulmuesin e mirënjohur të Holandës, Rud Van Nistelroi. Lojtari debutoi me "tulipanët" në gusht të vitit 2006 kundër Republikës së Irlandës dhe shpërbleu besimin e trajnerit Van Basten me dy gola dhe dy pasime goli. Shumë klube, mes të cilëve edhe Mançester Junajtid dhe Real i Madridit e kanë kërkuar dhe gjatë Euro 2008 do ta mbajnë nën vëzhgim. Në moshën 24-vjeçare tashmë ai mendon të largohet nga Ajaksi dhe me talentin natyral premton të bëhet një emër i madh.

4. Mikael Balak — Gjermani

Nuk nevojitet asnjë lloj prezantimi. Ishin të shumtë ata që gjatë vitit të tij të parë me Çelsin (ku kaloi shumë dëmtime dhe formë të keqe) mendonin se ishte larguar nga Bajerni i Mynihut vetëm për të rritur llogarinë bankare dhe jo reputacionin. Por, gjatë këtij sezoni, ai u tregoi kritikëve të kundërtën: asnjë dëmtim, forma më e mirë që ka kaluar ndonjëherë dhe lider i Çelsit. Balak bëri që Lampard të qëndronte në hije dhe e kaloi mesfushën në një nivel tjetër në pothuajse çdo ndeshje që luajti. Gjermania shpreson se me eksperiencën, prezencën fizike dhe aftësinë për të shënuar, kapiteni do ta ndihmojë skuadrën që të triumfojë. Vetëm ai mund ta udhëheqë skuadrën e Hoakim Lëv.

3. Frank Riberi — Francë

Në disa raste duket sikur kalon pa u vënë re, megjithatë Riberi cilësohet si një prej pesë mesfushorëve më të mirë në botë. Janë të shumtë ata që besojnë se "mungesa e publicitetit" ndodh për shkak të komercializmit të pakët që ka Bundesliga, por diçka mund të thuhet me siguri: Riberi është klas i pastër. Mesfushori francez i krahut, i cili u bë pjesë e Bajernit të Mynihut gjatë verës së kaluar, ishte protagonist absolut. Në 26 ndeshje me bavarezët ai shënoi 11 gola, por dha edhe shumë pasime për shokët e skuadrës. I zgjedhur si Lojtari i Vitit në Gjermani, nuk do të jetë çudi që emri i tij të jetë në formacionin më të mirë të Euro 2008, pavarësisht faktit nëse Franca shkëlqen apo jo.

2. Fernando Torres — Spanjë

Torres, edhe pse konsiderohej si një talent i rrallë kur luante tek Atletiko e Madridit, nuk ishte parë asnjëherë si goleador. Në Spanjë, maksimumi i golave të shënuar prej tij ishte 15 në sezon. Kjo ndodhte deri në momentin që Rafa Benitez e afroi te Liverpuli: brenda pak muajve, aty u shndërrua në sulmuesin më të fortë në botë. Çdo mbrojtje dridhet kur luan përballë tij, ai mund të shënojë nga çdo pozicion dhe në të njëjtën kohë të mahnitë me aftësitë që zotëron. Dyshja sulmuese që ai krijon me David Vijën në Spanjë është ndër më "vdekjeprurëset" në botë dhe rrezikshmëria shtohet nga puna që Fabregas dhe Çavi bëjnë pas shpinës së tyre. Me 32 gola në 40 ndeshje me Liverpulin dhe 15 në 46 me kombëtaren, edhe mbrojtja e hekurt e Italisë duhet t‘i trembet "El Ninjos".

1. Kristiano Ronaldo — Portugali

Çfarë mund të thuhet më shumë për këtë njeri? Gazetat, televizionet, e pothuajse çdo media tjetër botërore i kanë kushtuar një pjesë të madhe të hapësirës lojtarit që udhëhoqi Mançester Junajtid drejt titullit në Angli, por mbi të gjitha drejt triumfit në Ligën e Kampioneve. Janë të paktë ata që mendojnë se Ronaldo nuk do ta fitojë çmimin "Lojtari më i Mirë në Botë", apo çdo vlerësim tjetër në qarkullim. Edhe pse është i kompletuar, kritikët mendojnë se ai "humbet" në ndeshjet e mëdha. Ky është rasti për t‘u treguar të kundërtën. Pas 42 golave sezonalë, të gjithë i kanë drejtuar sytë nga portugezi, që në Euro 2008 mund të marrë një vend mes më të mëdhenjve në histori. Me kombëtaren ka shënuar 20 gola në 54 ndeshje dhe është një nga favoritët për "Këpucën e Artë" të Evropianit.

Italia, në fushë

me peshën e moshës

Skuadra e Donadonit ka mesataren më të lartë mes skuadrave pjesëmarrëse

Kombëtarja e Italisë është pa dyshim një prej skuadrave me më shumë eksperiencë në EURO 2008, ku prezantohet me kredencialet e Kampiones së Botës në fuqi. Por skuadra e drejtuar nga Roberto Donadoni triumfon që tani në një statistikë, atë të ekipit më të vjetër të turneut sipas moshës mesatare të futbollistëve. Me plotësimin e listave të 16 skuadrave pjesëmarrëse dhe 368 futbollistëve të ftuar të marrin pjesë në Kampionatin Evropian, është e mundur të bëhen krahasime mes tyre dhe të nxirren statistika të ndryshme, ku ajo e moshës në shumë raste ka qenë domethënëse për të përcaktuar edhe ecurinë e ekipit në fjalë.

Italia është pa dyshim skuadra më e vjetër e kampionatit, me një mesatare moshe prej 29.57 vjetësh. Kampionët e botës ndiqen nga Suedia që ka mesataren e moshës 29.35, por të dy skuadrat kanë më shumë se tre vjet diferencë me mesataren e skuadrës më të re të turneut që është Rusia, Gus Hidink u ka besuar të rinjve dhe mesatarja prej 26.26 vjetësh e tregon më së miri një gjë të tillë. Ndërkohë, Kub Kuhn është një tjetër trajner që u beson verbërisht të rinjve dhe këtë e tregon fakti se mesatarja e moshës së kombëtares zvicerane është 26.39 vjet, një vit më pak se mesatarja e të gjithë turneut që është 27.60 vjet.

Kuhn është gjithashtu i vetmi trajner që ka grumbulluar një adoleshent në skuadër, pasi Eren Derdiok është lojtari më i ri i edicionit të këtij viti, duke marrë pjesë në moshën 19-vjeçare. Sulmuesi i Bazelit do të mbushë 20 vjetët më 12 qershor, një ditë pasi kombëtarja e tij të ndeshet me Turqinë për fazën e grupeve. Ndërkohë, në moshën 20-vjeçare janë dyshja kroate Rakitiç-Kaliniç dhe portieri portugez, Rui Patrisio. Në anën tjetër të medaljes, çmimi i lojtarit më të vjetër i shkon veteranit austriak, Ivica Vastiç, i cili u grumbullua në kombëtare pas tre vitesh shkëputje. Vastiç është 38 vjeç, vetëm 42 ditë më i moshuar se portieri i Gjermanisë, Jens Lehman.

Derdiok nuk do të jetë lojtari i vetëm që do të festojë datëlindjen e tij gjatë EURO 2008, pasi janë 25 futbollistë të tjerë që do ta përjetojnë një gjë të tillë gjatë këtij aktiviteti që zhvillohet mes datave 7 qershor - 29 qershor. Mbrojtësi 30-vjeçar i Kroacisë, Hrvoje Vejiç, do të jetë i pari i kësaj liste, ndërsa ditëlindja e tij koincidon me ndeshjen e hapjes së Grupit B, ku kombëtarja e tij do të luajë përballë Austrisë vendase.

Mungesa e Anglisë në fazën finale të EURO 2008 ka ndikuar te numri i lojtarëve të Premiership që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, vetëm 44 të tillë ndonëse Çelsi dhe Mançester Junajtid ishin ekipet që morën pjesë në finalen e Ligës së Kampioneve. Bundesliga gjermane është kampionati më i përfaqësuar në aktivitetin që zhvillohet në Austri dhe Zvicër, me 56 lojtarë pjesëmarrës. Vendi i tretë mbahet nga Primera Division, pasi do të jenë 40 lojtarët që aktivizohen në Spanjë. Seria A mban vendin e katërt me 35 lojtarë, e ndjekur nga kampionati rus me 29 futbollistë. Olimpiku i Lionit dhe Panathinaikos janë dy skuadrat më të përfaqësuara në këtë aktivitet, pasi secila prej tyre do të ketë nga 10 lojtarë në EURO 2008. Shtatë lojtarë të Lionit janë të grumbulluar nga Domenek në përfaqësuesen e Francës, ndërsa 6 lojtarë të Panathinaikosit figurojnë në radhët e Greqisë. Gallatasaraj dhe Bajerni i Mynihut kanë nga 9 lojtarë që i përfaqësojnë në këtë aktivitet, të ndjekur nga Verder Bremen, Real Madrid dhe Barcelona që kanë nga 8 lojtarë.

Akuza

Bazeli dhe Gjeneva injorojnë fushatën publicitare kundër shfrytëzimit të qenieve njerëzore

Dy qytete zvicerane refuzojnë

luftën kundër prostitucionit

Organizatorët e një fushate që ka si qëllim të edukojë fansat e EURO 2008 kundër tmerreve të trafikimit të qenieve njerëzore, kanë akuzuar dy nga qytetet organizatore të turneut se po censurojnë projektin e tyre. Kompania që e ka marrë përsipër fushatën e ndërgjegjësimit popullor, të financuar nga qeveria zvicerane, lajmëroi dje se filmi i tyre prej 60 sekondash do të shfaqej në zonat publike të Bazelit vetëm pas orës 11 të darkës, ndërsa Gjeneva kishte refuzuar shfaqjen e tij në zonat publike. Filmi në fjalë tregon pamje grash të dhunuara, të cilat nxirren me forcë në ankand për qëllime shfrytëzimi seksual.

"Të shfaqësh një film të tillë pas orës 11 të darkës është njëlloj si ta censurosh atë. Kjo tregon qartësisht se Bazeli nuk është i përgatitur të trajtojë temën e trafikimit të grave", u shpreh shefi i organizatorëve, Ruth Gabi-Vermot. Ndeshjet e darkës të EURO 2008 do të fillojnë në 20.45, që do të thotë se pjesa më e madhe e tifozëve do të jenë larguar nga zonat e hapura për publikun në momentin që ky film i shkurtër do të shfaqet në ekranet publike. Organizatorët e shprehën se dy qytetet e tjera zvicerane, Berna dhe Zyrihu, do ta shfaqnin këtë film sipas orareve të projektit fillestar. "Shansi për t‘i informuar spektatorët rreth kësaj shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut është më e rëndësishme për Bernën dhe Zyrihun, sesa fakti që ajo mund të mos përshtatet me imazhin e qytetit", shkruhej në deklaratën e organizatorëve. Ata bënë të ditur se edhe UEFA kishte rënë dakord për transmetimin e këtij filmi në stadiume para dhe gjatë pushimit të ndeshjeve të EURO 2008. Drejtuesit e komitetit organizator të EURO 2008 në Gjenevë dhe Bazel bënë të ditur se arsyeja kryesore e vendimit kishin qenë pamjet shumë të dhunshme, si dhe fakti se prostitucioni nuk kishte të bënte me futbollin. Por organizatorët e fushatës u kundërpërgjigjën, duke thënë se kjo ishte koha e duhur për të reaguar, duke ditur se prostitucioni pësonte rritje gjatë aktiviteteve të tilla masive. Ata bënë të ditur se në Zvicër kishte rreth 3 mijë femra, të cilat ishin shitur kundër dëshirës së tyre në tregun e prostitucionit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›