E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi "josh" Ançelotin, i ofrojnë para dhe lavdi

Kuotat e Karlo Ançelotit për të marrë drejtimin e Çelsit janë rritur në mënyrë të pabesueshme. Sipas "Daily Express" dhe "Times", emri i trajnerit të Milanit është në krye të listës së dëshirave dhe oferta është tejet joshëse: rrogë 6 milionë sterlina në sezon (mbi 7.6 milionë euro) dhe financa për të bërë afrime të mëdha në merkato. Gjithsesi, zyrtarët e Çelsit i mohojnë këto lajme, ndërkohë që Roman Abramoviç ka dhënë urdhrin që nga klubi të largohet edhe asistenti i Avram Grant, Henk Ten Keit. Ky vendim hap një tjetër skenar mjaft interesant dhe mbi të gjitha të pëlqyer nga manjati rus: emërimi i Xhanfranko Zolës si zëvendës i Ançelotit. Lëvizje me të cilën synohet që të riafrojë në "Stemford Brixh" një prej lojtarëve më të dashur të të gjitha kohërave. Duke iu referuar mediave britanike, trajneri i Milanit joshet nga ideja për të drejtuar stolin e Çelsit jo vetëm prej rrogës së lartë që do të përfitonte, por edhe për shkak të 100 milionë sterlinave (mbi 125 milionë euro) që Abramoviç do t‘i vendosë në dispozicion për merkato. Ndër të tjera, me skuadrën londineze Ançeloti mund të jetë në Ligën e Kampioneve, aktivitet nga i cili do të jetë i privuar vitin e ardhshëm, në rast se zgjedh të qëndrojë te Milani. Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar fakti se lidhja e trajnerit me klubin e Silvio Berluskonit shkon përtej çështjeve ekonomike apo atyre të merkatos. Në këtë rast, një rol të rëndësishëm ka zemra, e ajo dihet që është shumë e vështirë për t‘u komanduar. Nëse marrëveshja me Ançelotin nuk do të realizohej, alternativat për drejtimin e nënkampionëve të Anglisë janë të njëjtat: Mark Hjuxhs (Bllekbërn), Roberto Mançini, Frenk Rajkard dhe Felipe Skolari.

Por, diskutimet rreth Çelsit nuk përqendrohen vetëm rreth drejtuesit të ri të stolit. Për të sjellë pak variacion ka menduar ish-trajneri Avram Grant, që beson se "lufta e brendshme ka rrezikuar ambiciet e Çelsit". "Prisja të qëndroja në krye të skuadrës të paktën për 4 vjet, tha Grant. Kur pranova detyrën, përcaktova disa objektiva, që edhe mua vetë më dukeshin të paarritshme, si kualifikimi në finalen e Champions, përmirësimi i lojës së skuadrës dhe i imazhit të Çelsit në botë, zgjidhja e problemeve të mëparshme, ku dukej se lufta në dhomat e zhveshjes dhe me kundërshtarët ishte e vetmja strategji që përdorej. Për këto arsye zgjodhëm një rrugë tjetër, për të bërë të mundur që në harkun e dy apo tre viteve Çelsi të bëhej klubi më i dashur në botë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›