FIFA vendos: Pesë të huaj
FIFA ka bërë një tjetër hap drejt limitimit të numrit të futbollistëve të huaj që zbresin në fushë. Kongresi vjetor i "qeverisë" botërore të futbollit votoi në favor të formulës "6+5", të propozuar nga Sep Blater, e cila parashikon që numri maksimal i të huajve që militojnë nëpër skuadra të jetë vetëm pesë. Rregulli i ri është miratuar nga 155 delegatë, ndërkohë që 40 të tjerë abstenuan. Pra, më në fund, në kongresin e zhvilluar në Sidnei, Blater pa të realizohej ideja e tij për të ruajtur identitetin kombëtar të skuadrave, duke përcaktuar një numër "çati" të futbollistëve jo vendas. Me këtë miratim, FIFA ka dalë hapur kundër qëndrimit të Bashkimit Evropian, sipas së cilës përcaktimi i një numri futbollistësh të huaj që luajnë në një skuadër thyen normativat komunitare për punën. Komisari i punës në BE kishte deklaruar: "Futbollistët janë punëtorë dhe për këtë arsye duhet të qarkullojnë lirisht. Ata që e ndalojnë këtë gjë, rrezikojnë të përballen me masa të forta". Duke parë situatën e krijuar, Blater mund të kërkojë që rregulli "6+5" të votohet për të gjithë pjesën tjetër të botës, përveçse për kontinentin evropian.