E Hënë, 2 Nëntor 2026

100 Këngët e shekullit

06/06/2005  "Stuhia" e këngës së lehtë në ekran

Vetëm një javë më parë përfundoi rrugëtimin e tij 11 javor, spektakli "100 Këngët e shekullit", organizuar nga "Promotor" dhe televizioni kombëtar "Klan". Për 10 javë me rradhë në shtëpitë tona u dëgjuan këngët më të mira të muzikës së lehtë shqiptare, të mbuluara prej vitesh nga pëlhuri i harresës, të sjella me freski dhe ritme moderne nga 10 prej këngëtarëve më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare të ditëve tona, si Irma Libohova, Rovena Dilo, Vikena Kamenica, Aleksandër Gjoka, Sidrit Bejleri, Saimir Braho, Alma Bektashi, Eranda Libohova, Kujtim Prodani e Jonida Maliqaj. "Ky spektakël u tregoi brezave të rinj se nuk janë aspak të varfër, se kanë një shtrat të cilin duhet ta çojnë më përpara", u shpreh për "Metroplol" i mirënjohuri Agim Krajka, një ngë të fuarit e shumtë të nderit në këtë spektakël. Askush nuk mund të vejë në dyshim faktin se qëllimi i kësaj iniciative si një homazh për muzikën e lehtë dhe kulturën tonë, nuk u realizua në parametrat maksimalë. "100 këngët e shekullit", nga e hënë në të hënë, provokuan emocione e nostalgji në një kreshendo të pandalëshme, duke treguar qartë jo vetëm seriozitetin dhe përkushtimin e organizatorëve Pandi Laço (skenarist), Ardian Hilës (drejtor artistik) dhe Bledar Laços (regjisor), për t'i bërë një homazh muzikës, kompozitorëve dhe këngës shqiptare, por, njëkohësisht, edhe ambiciet e tyre për të bërë diçka ndryshe. Ky spektakël mbylli përfundimisht një periudhë gati dhjetëvjeçare të spektakleve televizivë, duke shënuar kështu fillimin e një epoke të re në këtë zhanër. Një spektakël, i cili pa ekzagjeruar aspak, solli një erë evropiane në ekranin e televizionit Klan, me skenografi nga Genc Shkodrani, tepër moderne, të ngrohtë, impresionuese dhe shpërthyese. Kurimi i bërë nga drejtori i fotografisë Franco Ferrari ishte magjepsës dhe profesionalizmi i lartë i regjisorit Bledar Laço, mundësuan që publiku të shijonte një spektakël të parametrave perëndimorë, ku nuk mungoi asnjë element, asnjë detaj. Duhet pranur pa asnjë mëdyshje se, edhe në aspektin e cilësisë së orkestrimit të këngëve të përzgjedhura, kishte finesë dhe besnikëri ndaj krijimeve origjinale dhe një ekzekutim i përsosur, ku u ndje dora e mjeshtrit të shumë festivaleve, Robert Radoja. Natyrisht që pati edhe mendime se këngët ishin ndryshuar pak më shumë apo pak më pak se sa duhej, por subjektivizmave të tillë është e vështirë t'u shpëtosh. Kujdesi i veçantë i organizatorëve, për të nderuar jo vetëm këngën, por edhe krijuesit e interpretuesit e saj, të cilët ishin pjesë organike e spektaklit, dhuruan emocione të mëdha e surpriza tepër të këndshme, si me prezencën e tyre, ashtu edhe me kolazhet muzikore tepër të spikatura, ku prezenca e Tonin Tërshanës, Ema Qazimit, Liliana Kondakçiut, Gaqo Çakos apo edhe surpriza e mrekullueshme e të madhes Vaçe Zela intervistuar në Zvicër nga prezantuesja e spektaklit Alketa Vejsiut, ngritën sallën peshë me duartrokitjet e pafundme (e ndoshta askush nuk duhet të harrojë se të gjitha shpenzimet për sjelljen e shumë pjesëmarrësve nga larg mbuloheshin nga organizatorët, tregues i lartë serioziteti dhe përkushtimi). Por, mbi të gjitha, ky spektakël, nëpërmjet produkteve audio, risolli nw treg atë pjesë të muzikës shqiptare që rrezikonte të humbiste përgjithmonë. Të rinjtë shqiptarë patën rastin të njohnin disa nga personalitetet e muzikës sonë (kompozitorë dhe krijues tekstesh dhe këngëtarë), të cilët do të mbeten të paharrueshëm, por njëkohësisht morën edhe një satisfaksion maksimal, kur përjetuan emocionet e të qenit sërish në skenë apo edhe kur ndjenë se publiku shqiptar jo vetëm nuk i ka harruar aspak, por përkundrazi i adhuron, ndoshta më shumë se kurrë. Vlera më e madhe e këtij spektakli qëndron te leksoini dhe mesazhi që ai dha, kreysisht për krijuesit dhe këngëtarët e rinj, të cilët duhet të kuptojnë qartë se komercializmi dhe mungesa e vlerave nuk do t'i çojnë kurrë larg dhe se krijimet e tyre, në të kundërt me atë që provoi "100 Këngët e shekullit", shumë shpejt jo vetëm do të harrohen, por për më tepër nuk i shërbejnë kulturës dhe emancipimit të kombit. E në rast se në natën përmbledhëse të spektaklit u kënduan vetëm 20 këngë, që të gjitha janë të bindur për një fakt, se të gjitha këngët ishin këngët e shekullit.

Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›