ISLI HIDI I OFROHET IRAKLIS
06/06/2005 Sipas gazetës greke “Metrosport”, portieri i Kombëtares shqiptare, Isli Hidi i është ofruar skuadrës së Iraklis. Sipas gazetës helene portieri 24-vjeçar ka në dorë një kontratë të gatshme nga Tirana, por ai dëshiron që të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin helen e pikërisht tek skuadra ku aktivizohet shoku i tij, Indrit Fortuzi, Iraklis i Selanikut. Skuadra selanikase po e studion seriozisht këtë ofertë, pasi në rradhë të parë ajo ka nevojë për një përforëcim në pozicionin delikat të “mbrojtësit” të rrjetës së saj. Gjithashtu për drejtuesit e Iraklis është intrigues fakti që Hidi është vetëm 24 vjeç dhe ka luajtur për vite me rradhë me kampionët e Shqipërisë si dhe kohët e fundit po synon një vend në përfaqësuesen kuqezi. Pra sipas gazetës helene bëhet fjalë për një portier tashmë me eksperiencë të madhe, por njëkohësisht edhe në moshë të re e me perspektivë për t’u përmirësuar më shumë. Për më tepër, Hidit i ka mbaruar kontrata me Tiranën dhe është një lojtar i lirë, ç’ka do të thotë që skuadra selanikase nuk ka për të shpenzuar ndonjë shumë të madhe për të patur shërbimet e portierit shqiptar. Në fakt tashmë ka kohë që Hidi po kërkon që të provojë njëherë veten në një kampionat të huaj. Para disa kohësh u përfol se portieri 24 vjeçar do të vazhdonte karrierën e tij në Ukrahinë, por diçka u prish në momentet e fundit.
A.Pepa
A.Pepa