E Hënë, 2 Nëntor 2026

DURO: GJITHÇKA EDHE KUNDER DANIMARKES

06/06/2005   “Danimarka ka një skuadër mjaft të fortë, por ne jemi më të lirshëm pas fitores me Gjeorgjinë”

Edhe mesfushori i përfaqësueses kuqezi, Klodian Duro është shprehur shumë i kënaqur për fitoren e arritur kundër Gjeorgjisë në “Qemal Stafa”. Madje, ai ka mbajtur premtimin për të marrë një fitore që është edhe një përgjigje për humbjen në Tbilisi në 8 shtatorin e kaluar. “Nuk e diskutoja që do të fitonim. Ishim të gjithë të përgatitur për një rezultat të tillë dhe aritëm të fitonim. Ndeshja nuk përfundoi ashtu siç ne dëshironim pasi 3:0 do të kish qenë me të vërtetë shumë e bukur. Gjithsesi për momentin i kënaqemi një fitoreje mjaft të rëndësishme”,- është shprehur mesfushori i krahut të djathtë, Klodian Duro. Ndërkohë, ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme fitoren e arritur kundër Gjeorgjisë në aspektin e renditjes. Për të, fitorja me Gjeorgjinë i ka dhënë një avantazh të mirë skuadrës sonë, për të shpresuar në mbajtjen e vendit të pestë, që mund t’i garantojë një short më të favorshëm në eliminatoret e kampionatit të ardhshëm evropian. “Ndeshja me Gjeorgjinë ishte mjaft e rëndësishme në dy aspekte. Së pari, në lidhje me moralin e skuadrës sonë. Kishim kohë që nuk fitonim dhe na duhej patjetër një rezultat pozitiv për të kthyer disi humorin në skuadër dhe besimin në vetvete. Dhe së dyti, ishte mjaft i rëndësishëm në lidhje me ecurinë e skuadrës sonë në këto eliminatore. Edhe pse kishim dalë nga vallja për t’u kualifikuar, ne duhet të fitonim patjetër kundër Gjeorgjisë, pasi ajo ishte rivalja jonë direkte në garën për vendin e pestë. Një renditje më e mirë në këtë edicion do të na shërbejë shumë për eliminatoret e ardhshem, ku shpresojmë te jemi në një vazo më të mirë. Fituam me meritë dhe tashmë jemi më të qetë për ndeshjet e ardhshme”,- ka nënvizuar mesfushori i krahut i Arminias së Bielefeldit, Klodian Duro. Në përfundim, Duro është shprehur edhe për ndeshjen e së mërkurëssë ardhshme, ku kuqezinjtë do të jenë mysafirë në Kopenhagen, ku i pret Danimarka. Për ndeshjen me skuadrën daneze, Duro është shprehur se skuadra shkon më e qetë pas fitores me Gjeorgjinë dhe se duhet të japë gjithçka edhe për këtë ndeshje. “E rëndësishme për ne ishte të fitonim kundër Gjeorgjisë dhe këtë e arritëm. Tani na pret një ndeshje e fortë në Danimarkë. Gjithsesi, atje do të jemi më të qetë. Por, ne duhet të japim maksimumin edhe në këtë ndeshje”,- ka përfunduar mesfushori i kuqezinjve, Klodian Duro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›