E Hënë, 2 Nëntor 2026

Si deputet do të angazhohem në ndërtimin e rrugës së Arbërit

06/06/2005  Gjergj Leka, kandidat i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në zonën elektorale numër 21 në Dibër

Kandidati i PBDNJ-së, në Dibër, Gjergji Leka, thekson se do të angazhohet në ndërtimin e Rrugës së Arbrit, po fitoi mandatin e deputetit. Sipas tij, ky aks rrugor është tejet i rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe të zonës

Zoti Leka, pse keni zgjedhur Dibrën për kandidat?

Inisiativa ime për t'u përfshirë si kandidat në zgjedhjet e 3 korrikut, dhe për të përfaqësuar banorë të zonë së Dibrës, më nisi kur fillova të punoj me disa djem të shumë, të shkëlqyeshëm, në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Vura re se zona e Dibrës në përgjithësi, është një zonë që, pavarësisht nga kultura dhe dëshira për punë, në radhë të parë këtu, mungojnë resurset dhe mundësitë për të punuar dhe për tu punësuar. Kjo zonë ka një papunësi të lartë, ndërkohë që, klasifikohet si një zonë verilindore që pavarësisht nga pozicioni gjeografik, unë nuk do ta pranoja që kjo zonë bën pjesë në këtë grup zonash, për vetë kulturën dhe dinamikën e jetës që ka, por realisht, ajo ka mbetur në një nga zonat më të varfëra në vend. Duke u nisur që një nga politikat kryesore të partisë sonë është emigrimi dhe, emigrimi ka dy momente standarte të cilat lidhen me të. E para, është që ta pengojnë emigrimin nëpërmjet krijimit të mundësive për punë, duke hapur tregje brenda për brenda rajonit si dhe përtej kufijve, duke patur parasysh që Dibra është një zonë kufitare. Ne mendojmë se duke ofruar dhe investime, do t'iu duket pak e çuditshme por, zona e Dibrës, mund të përfshihet shumë mirë nga ana gjeopolitike, në zonën e Maqedonisë dhe atë të Selanikut. Pra, është një zonë ku shërbejnë shumë projekte, të cilat janë në kuadër të projekteve të zonave ndërkufitare, qoftë dinamika e zhvillimit evropian, qoftë elementët e tjerë të jetës politike sociale të Evropës, do të interferojnë më shpejt në këto zona. Pjesa e dytë e politikave të emigracionit, është ajo që ne do të ofrojmë në këto zona, nëpërmjet emigrimit të organizuar. Prioritet do ti jepet emigrimit sezonal. Kam vërë re në Dibër, se arsimtarët apo punonjës të tjerë, që tre muajt e verës janë në pushime, janë të interesuar që të shkojnë dhe të punojnë njëfarë kohe jashtë vendit. Ne këto kategori, do ti ndihmojmë në mënyrë të tillë, që të mund ti drejtojnë në një emigracion të organizuar, për ti ardhur në ndihmë sadopak, përmirësimit të buxheteve të familjeve. Unë nuk kam qejf të flas për gjëra që nuk janë në natyrën e detyrën e deputetit, sepse pyetja juaj konsiston nëse unë do të bëhem deputet, nuk mendoj se një deputet duhet të premtojë se do të ndërtojë rrugë, ura, etj., këto janë politika shtetërore. Sigurisht që, nëpërmjet dibranëve, do të bëhem një deputet që, pavarësisht se nuk jam nga zona e tyre, me origjinë do të përfaqësoj interesat e popullit të Dibrës. Unë nuk kam asnjë obligacion as me krahun e majtë dhe as më krahun e djathtë të politikës, që të mbaj qëndrime të njëanëshme në parlament. Problemet që ka zona e Dibrës, janë probleme ekonomike, të infrastrukturës, e cila lë shumë për të dëshiruar. "Rruga e Arbrit", e cila diskutohet prej vitesh, duhet të ndërtohet dhe çdo dibran, duhet ti vihej çdo qeverie, që ky projekt të realizohet. Dibra ka shumë nevojë që të punohet me shtresa që janë nën nivelin minimal të jetëses, të cilët kanë nevojë për programe sociale, kanë nevojë për programe punësimi, për programe komunitare, gjë të cilat ne mund ti bëjmë me pak dëshirë dhe presion mbi qeverinë qendrore, e cila mendoj se duhet të jetë më e vëmendshme për këtë zonë. Ka ardhur momenti që ne të dalim nga Tirana dhe Durrësi, dhe besoj se në këtë katërvjeçar të politikës shqiptare, në përgjithësi, të ndjejmë evolucionin e njëtrajtshëm të Shqipërisë, dhe jo atë zhvillim të fasadës të kryeqytetit apo të qyteteve kryesore.

Përmendët më parë ndërtimin e "Rrugës së Arbrit". Çfarë keni ndonjë projekt konkret, nëse do të jenë pjesë e vendimarrjes për katër vitet e ardhshme?

Jo se kam ndonjë gjë konkrete dhe se unë do të mund të gjej çelësin për ndërtimin e kësaj rruge, por mendimi im është më i përgjithshëm, pra të gjithë deputetët e Dibrës, duhet të bëhen bllok së bashku. Dhe të gjithë së bashku, të shfrytëzojmë kartonat tanë në kuvend, për ti dhënë zhvillim të metejshëm qyteteve dhe zonave periferike. Shteti duhet të përqëndrohet në afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin, në afrimin e tregjeve me njëri-tjetrin, me afrimin e produkteve, dhe të mendosh që një fshatar apo një biznes mund të zhvillohet në Dibër, është fatale që të mendosh se do të ketë sukses, sepse suksesi varet nga largësia e tregjeve. "Rruga e Arbrit" është determinuese dhe duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë. Ne flasim për korridron 8, dhe nuk flasim për korridoret tona, të cilat do të na afrojnë më njëri-tjetrin dhe do ti hapin rrugë zhvillimit ekonomik turisitik social, etj. Dibra ka llixha dhe vende të mrekullueshme, ku mund të zhvillohet turizmi kurativ. Gjithashtu, nga ana tjetër, Dibra ka afërsinë me Maqedoninë nga ku, duhet të luajë një rol më të madh dogana e Muriqanit sesa ajo e Qafë Thanës, e cila ka një largësi më të madhe mes dy tregjeve, mes Tiranës dhe Maqedonisë. Rritja e rolit të doganës së Muriqanit, do ti rriste rolin e madhe dhe të zonës në forcimin e tregut rajonal. Nuk mendoj se kjo rrugë do të ndihmojë vetëm dibranët por, do të ndihmojë qarkullimin e të gjithë vlerave ekonomike dhe kulturore që ka Dibra.

Ju kandidoni përballë deputetit aktual të PS-së, Ilir Gjoni. Cili është vlerësimi juaj për këtë kandidaturë dhe për rivalët e tjerë?

Unë jam anëtar i Kryesisë së PBDNJ-së dhe, si çdo anëtar i kësaj partie, jam i detyruar që ti bindem vendimeve të këshillit drejtues të partisë. PBDNJ-ja, ka vendosur që të kandidojë në të 100 zonat, dhe të mos futet në asnjë koalicion parazgjedhor, por të jetë e hapur për të bërë koalicione me të gjithë koalicionet paszgjedhore, në rast se stabiliteti i vendit e kërkon. Në këtë kuadër, nuk jam vetëm unë, por dhe çdo kandidat për deputet që kanë poste të rëndësishme ose, janë sot në qeveri janë të detyruar të kandidojnë përballë kandidatëve të Partisë Socialiste, sikurse dhe atyre të Partisë Demokratike. Unë mund të them për mikun tim, Ilir Gjoni, se kam patur konsideratat më të larta, ashtu si dhe për kandidatët e tjerë, që nuk kam ndonjë gjë, kjo është një garë që ne, të gjithë, para sesa të mendojmë për gjërat që kemi kaluar bashkë, do të mendojmë secili për vete dhe për partinë. Për të qenë i sinqertë, përpjekjet e mia do të jenë për ti kërkuar votën dibranëve, do të jenë ashtu si dhe në zgjedhjet lokale, ata të votojnë për PBDNJ-në. Pak rëndësi ka se cila do të jetë sfida që unë dhe Iliri do të kemi me njëri-tjetrin.

Sapo ka filluar zyrtarisht fushata elektorale. Ku do të bazohen fondet tuaja për të zhvilluar këtë fushatë?

Duke patur përvojën e viteve të kaluara, unë mendoj se do të bëj një fushatë krejt origjinale dhe, se mbështetësit e mi, më kanë kërkuar të mos çoj asnjë poster me fotografinë time, d.m.th., të mos bëj shpenzime për anën figurative, por duke bashkëpunuar me ta, apo dhe duke i dhënë ndihmë ndonjë familje të varfër, apo duke u ulur gju më gju me njerëzit nuk do të kem shumë shpenzime. Si ndonjë rast jo shumë i spikatur, unë jam i detyruar të dëgjoj më shumë dibranët, ti pyes ata, të punoj bashkë me ta dhe kam kuptuar që në Dibër, boja apo llustra nuk shkon. Janë fenomene të cilat dibranët nuk i hanë kollaj. Ata janë sa të zgjuar, aq dhe të rafinuar, të cilët nuk ta pranojnë humorin politik dhe duhet të tregohesh i kujdesshëm. Kandidimi im në Dibër, është një sfidë pasi, kam qenë gjithmonë kandidat në Korçë, por jam befasuar nga mënyra sesi PBDNJ-ja, dibranët dhe miqtë e mi, kanë punuar në zgjedhjet lokale të vitit 2003.

Mesazhi juaj për elektoratin dibran?

Mesazhi im për elektoratin dibran, dhe të gjithë shqiptarve, u them se duhet ta vlerësojnë votën sepse ajo është shumë e shtrenjtë. Duhet të kuptojnë se çdo gabim që bëhet në një sekondë, do ti kushtojë atyre katër vjet, por duhet të kuptojmë se në Shqipëri nuk vuhen katër vjet por 40 vjet, kur bën një gabim elektoral. Unë i bëj thirrje të votojnë për atë që mendojnë dhe të votojnë në mënyrë që ata të kenë sa më shumë përfaqësues të tyre në kuvend. Kodi elektoral lejon që nga zona e Dibrës të mos shkojnë tre deputetë në parlament, por 6 dhe 7 deputetë. Të jenë të kujdesshëm dhe të shikojnë sesi janë mbajtur premtimet, nga forcat e mëdha politike. Dibra ka hapësira dhe për deputetë të tjerë për ta përfaqësuar më mirë atë.

Cv

Kam lindur në qytetin e Korçës, në 20 maj 1959. Kam vazhduar studimet në qytetin e vendlindjes, më mbas, kam vazhduar Fakultetin për Ekonomi Financë, në Tiranë. Pas mbarimit të universitetit, kam punuar si revizor financiar para 1990, në Ndërmarrjen Tregëtare. Në vitin 1991, kam qenë drejtor i ndërmarrjes ku punova për 10 vjet. Në 1994, ndërmarrja u privatizua dhe deri në 1997, kam qenë funksionar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Nga viti 1997 deri në 2001, kam qenë zv/Ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. Dhe nga 2001 deri aktualisht, jam Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor. Jam i martuar me dy fëmijë.

Bisedoi Marilda Bejleri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›