E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket pa nam e nishan

DURRËS - Prej afro një jave, një nxënës i klasës së nëntë në shkollën “Nënë Tereza” në Durrës është larguar nga shtëpia. Ilis Fusha, 14 vjeç, është zhdukur nga shtëpia që ditën e enjte, ditë në të cilën ai nuk është paraqitur as në shkollë. Shkak për këtë zhdukje të papritur të tij është bërë një ngjarje në shkollë, ku ai është akuzuar për “vjedhjen” tre mijë lekëve që i mungonin një shoku të tij të klasës. Për ngjarjen në fjalë është vënë në dijeni drejtori i shkollës, i cili i ka kërkuar nxënësit 14-vjeçar që t’i marrë lekët ku të dojë dhe t’i kthejë në shkollë. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se ai nuk e ka pranuar akuzën që i është vënë mbi supe, ndaj ka vendosur më mirë zhduket nga familja dhe shkolla. Në të vërtetë, reagimi i Ilisit ka ardhur edhe për shkak të pritjes së ftohtë nga ana e prindërve të tij, të cilët kanë mbajtur anën e drejtorit të shkollës, duke i thënë djalit të tyre se “drejtori është i pagabueshëm”. Ky fakt e ka acaruar së tepërmi nxënësin 14-vjeçar, i cili që të nesërmen është zhdukur dhe nuk ka lënë asnjë shenjë se ku mund të ketë shkuar.

Reagojnë të parët shokët dhe shoqet e klasës

Familjarët kanë bërë denoncimin në polici për zhdukjen e fëmijës së tyre, por duket se policia e ka vlerësuar këtë ngjarje ashtu siç ndodh rëndom në rastet kur fëmijët mërziten dhe largohen, për t’u kthyer shumë shpejt përsëri në shtëpi. Edhe pse ka kaluar një javë nga zhdukja e tij, policia e Durrësit nuk ka bërë asnjë njoftim të tillë, ndërkohë që të parët që kanë reaguar për humbjen e Ilis Fushës kanë qenë shokët dhe shoqet e tij të shkollës.

Mbrëmjen e së hënës, shumë djem e vajza kanë kontrolluar në lokale dhe hotele të ndryshme të Plazhit në Durrës, duke shpresuar se mund të gjejnë shokun e tyre. Një ditë më pas, pikërisht dje, ata kanë ndërmarrë një nismë për vendosjen e posterave me fotografinë e tij dhe numrin e telefonit të familjes. Me mbishkrimin “KËRKOHET”, ata kanë vendosur qindra postera në lagjen ku ndodhet shkolla “Nënë Tereza”, si dhe pranë stacioneve të autobusëve urbanë të qytetit. Nxënësit janë shprehur se posterat i kanë realizuar me fotokopje të shumta, për të cilat edhe pronarët e kancelarive janë treguar dashamirës, duke mos u marrë shumën korrekte të parave. Duke qenë se kanë kaluar shumë ditë nga zhdukja e 14-vjeçarit, familjarët kanë bërë apel që zhdukja e tij të publikohet nga policia ose nga ndonjë media vizive, por për momentin asgjë e tillë nuk është bërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›