100 mijë euro gjobë, babait të Lorik Canës
Babai i Lorik Canës, Agim Cana dhe ish-agjenti i lojtarit shqiptar, Kristof Mongai, u dënuan me një vit burg me kusht për fshehje të shumës dhe parregullsitë e transferimit të futbollistit të Kombëtares shqiptare nga Paris Sën Zhermeni te Olimpiku i Marsejës në vitin 2005. Lajmi u dha nga mediat franceze. Agim Cana, babai i Lorik Canës, i cili tashmë luan në radhët e Sandërlendit, madje është kapiteni i skuadrës angleze, u njoh fajtor për abuzime të të mirave sociale nga gjykata penale e Marsejës dhe nga ana tjetër u ndëshkua edhe me një gjobë prej 100 mijë eurosh. Për të njëjtën arsye u ndëshkua edhe Kristof Mongai, ish-agjenti i Lorik Canës, por ai u gjobit me 50 mijë euro dhe duhet t’i paguajë klubit të tij, 20 mijë euro. Sipas faqes franceze, sofoot.com, babai i Canës nuk ka respektuar rregullat. Sidoqoftë, gjykata penale e Marsejës nuk arriti të provojë kërcënimin me vdekje, sipas së cilës, Agim Cana, kishte kërcënuar drejtuesit e klubit të Paris Sën Zhermenit për t’i dhënë lejë-kalimin Lorikut.
10 Shtator 2009