Lohan kundër bojkotit: Debatet bëhen në Kuvend
BLEDAR HOTI
Bashkimi Evropian i bën apel Partisë Socialiste të mos e bojkotojë Parlamentin. Një qëndrim i tillë ka ardhur dje nga kreu i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, në lidhje me vendimin ekstrem të PS-së, për të mos marrë pjesë në Parlament. “Qëndrimi i Komisionit Evropian në këtë çështje është shumë i qartë. Debati politik brenda një vendi demokratik zhvillohet brenda Parlamentit dhe jo jashtë tij”, deklaroi Lohan. Këto komente ambasadori i KE-së, i bërë pas pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të fazës B të terminalit të Aeroportit “Nënë Tereza”. Apeli i ndërkombëtar për të marrë pjesë në Parlament është përforcuar edhe zëri zyrtar i kreut të delegacionit të Komisionit Evropian, Lohan, duke iu bashkangjitur qëndrimeve të mbajtura nga ana e ambasadorët e OSBE-së, Robert Bosch dhe ajo e Britanisë së Madhe, Fiona Mcilwham. Socialistët kanë marrë vendim për të mos hyrë në Parlament, duke vendosur kushte për të qenë pjesë e Legjislativit për katër vitet e ardhshme. Hetimi i zgjedhjeve është një nga kushtet kryesore të socialistëve, të cilët janë të vendosur ta kryejnë atë mbi bazën e një ligji. Kuvendi i Shqipërisë nisi zyrtarisht punimet në datën 7 shtator. Deri më tani janë zhvilluar dy seanca parlamentare, ku është zgjedhur edhe drejtuesi i saj, por socialistët nuk kanë marrë pjesë në asnjë prej tyre. E vetmja parti opozitare në Parlament është PBDNJ-ja. Ndërkohë që një ndikim në qëndrimin e PS-së pritet të luajë edhe raporti përfundimtar i ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Pavarësisht kësaj, ndërkombëtarët po shtojnë qëndrimet e tyre dita-ditës, duke i bërë apel PS-së që të jetë prezent në aulën parlamentare, vendi ku zhvillohet debati ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Edhe kësaj here ndërkombëtarët duket se do të ndikojnë dhe do kenë peshë në qëndrimet e partive edhe kësaj here. Ndërsa maxhoranca e ka dënuar një vendim të socialistëve, për të mos marrë pjesë në Kuvend. Kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi, pas hapjes së Kuvendit, deklaroi se “Kushtet e vendosura nga opozita nuk janë pjesë e debatit në parlament por janë pjesë e debatit të brendshëm në PS”.