E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, Topalli: Rama, Gjinushi e Ndoka nuk janë deputetë

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga Shkodra i bën thirrje opozitës që të mos bojkotojë institucionin që ajo drejton, duke u bërë pjesë e reformave. “Çështjet personale të Ramës nuk duhet të përfshijnë deputetët socialistë. Është detyrë kushtetuese e deputetëve të marrin pjesë në Kuvend. Unë bëj diferencë midis zotit Rama dhe grupit të deputetëve të PS. Bojkoti i tyre nuk mund ta dëmtojë lëvizjen e lirë dhe aq më tepër që nuk mund të flasin për bojkot as Edi Rama, Skënder Gjinushi dhe Nard Ndoka, që nuk janë në Parlament dhe nuk mund të flasin për bojkot, pasi nuk janë pjesë e kësaj tribune të ligji. Interesat personale të një personi natyrisht duket sikur do krijojnë një ngërç në partinë e tyre. Ky është një problem i partisë së tyre që unë nuk dëshiroj të përzihem. Shfrytëzoj rastin për t’i ftuar që të vijnë në Kuvend deputetët për të mbrojtur votën e socialistëve shqiptarë, e qytetarëve socialistë që kanë votuar për Partinë Socialiste”, deklaroi Topalli. Ndërsa i ka cilësuar votimet e 28 qershorit, si zgjedhjet më mira të mbajtura në këto 20 vite në Shqipëri. “Asnjëherë s’kam qenë më krenare sesa kësaj radhe për zgjedhjet që shqiptarët zhvilluan me një maturi të jashtëzakonshme. Këto ishin zgjedhjet më të mira të këtyre dy dekadave, mandati më i fortë, më i sigurt që secili prej 140 deputetëve ka marrë si asnjëherë tjetër gjatë këtyre dy dekadave. Parlamenti më i vërtetë, Parlamenti me mandatin më të fortë dhe ne që jemi anëtarë të këtij Parlamenti vërtetë kemi privilegjin e madh që të jemi një ndër 140, por mbi të gjitha kemi përgjegjësinë e madhe për t’iu përgjigjur çdo kërkese”, tha Topalli. Ajo theksoi se “jam e sigurt që ky 4-vjeçar do të jetë i jashtëzakonshëm, por jam edhe optimiste se ndryshe nga katërvjeçari i parë, tani fillojmë me një orbitë tjetër, me një rreze më të gjerë”. “Nuk fillojmë aty ku ishim, të zhytur në korrupsion, me një Shqipëri pa drita, pa rrugë, pa asgjë. Ne e fillojmë si një Shqipëri anëtare e NATO-s. Si një Shqipëri që ka aplikuar për në BE, që si prioritet të mundur ka liberalizimin e vizave ne e fillojmë punën me një axhendë të jashtëzakonshme të pabesueshme, me një stad shumë më i lartë se sa ai katër viteve më parë”, deklaroi Topalli.                          r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›