“Lufta Revolucionare” merr përsipër sulmin ndaj bursës
Grupi i armatosur grek “Lufta Revolucionare” mori përsipër përgjegjësinë për atentatin e një jave më parë në Bursën e Athinës përmes një deklarate dërguar të përjavshmes greke "To Pontiki”. Grupi i armatosur ka kërcënuar se do të ndërmarrë atentate të tjera në të ardhmen. Ndërsa grupi “Konspiracioni i celulave të Zjarrit” deklaroi disa ditë më parë se ishte përgjegjës për atentatin kundër një godine qeveritare në Selanik, që ndodhi njëkohësisht me atentatin kundër Bursës në Athinë.
Turqi
Përmbytjet në Stamboll, 30 të vdekur
Numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjet që kanë përfshirë Stambollin ka shkuar në 30. Ndërkohë që dhjetëra persona kanë mbetur të izoluar në pjesët e sipërme të makinave të tyre, teksa rrugët janë të mbuluara me ujë. Niveli ka rritur më shumë se një metër lartësi në distriktin Ikitelli, ndërkohë që shumë persona janë në pritje për t’u shpëtuar. Kjo rrugë lidh qytetin me një zonë industriale të Stambollit, aeroportin kryesor dhe drejtimin për në Greqi.
Afganistan
Forcat e Natos lirojnë një gazetar të rrëmbyer
Forcat e Natos në Afganistan liruan dje një gazetar të Nju Jork Tajms-it i mbajtur peng nga militantët, megjithëse përkthyesi i tij dhe një ushtar britanik u vranë në operacion. Stiven Farrell, qytetar me dyshtetësi irlandezo-britanike, u rrëmbye të shtunën ndërsa raportonte për pasojat e një sulmi të debatueshëm ajror të Natos në provincën e Kunduzit. Farrell tha se përkthyesi i tij Sultan Munadi i cili ishte rrëmbyer në të njëjtën kohë, u qëllua për vdekje gjatë një përpjekje shpëtimi.
Bullgari
Ish-ministri nën akuzë për korrupsion
Prokurorët bullgarë akuzuan ish-ministrin e bujqësisë Valeri Cvetanov për shpërdorim pushteti në lidhje me një numër marrëveshjesh për shpërndarje tokash. Valeri Cvetanov akuzohet për 15 marrëveshje për dhënie tokash që sipas prokurorëve i kanë shkaktuar shtetit dëme të konsiderueshme. Cvetanov i ka mohuar akuzat. Nëse gjendet fajtor ai mund të dënohet me 8 vjet burgim. Kryeministri bullgar Bojko Borisov erdhi në pushtet në muajin korrik me zotimet për të luftuar korrupsionin.
Iran
Fillon debati për çështjen bërthamore
Guvernatorët e 35 vendeve pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore kanë filluar diskutimin për çështjen bërthamore të Iranit. Teherani insiston se programi i tij është për qëllime paqësore, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kryesorë janë të bindur se Irani po përpiqet që të prodhojë një bombë. Kreu i ANEB-it Mohamed ElBaradei ka deklaruar se agjencia është duke u përpjekur në arritjen e një marreveshjeje me Iranin dhe i ka kërkuar Teheranit që të rifillojë bashkëpunimin.
10 Shtator 2009